Ministria e Shëndetësisë është duke planifikuar masa të reja, më të lehta pas 18 majit. Kjo pasi situata pandemike në vend po përmirësohet pasi janë shëruar 622 raste nga 862 sa janë gjithsej.. Faza e dytë do të fillojë me 18 maj, kurse faza e tretë në fillim të muajit qershor.
Drejtori i Departamentit për Informim në Ministrinë e Shëndetësisë në Kosovë, Faik Hoti, tha se ndërmjet njërës dhe fazës tjetër do të bëhet një rivlerësim i efekteve që ka prodhuar lirimi i masave dhe konform zhvillimeve të situatës epidemiologjike do të ndikohet që të merren edhe vendime të tjera.
“Më 4 maj ka filluar plani i hapjes graduale ekonomike me lirimin e disa bizneseve që të operojnë. Më 18 maj do të lirohen disa të tjera. Ndërsa faza e tretë fillon në qershor. Midis njërës dhe fazës tjetër do të bëhet një rivlerësim i efekteve që ka prodhuar lirimi i masave dhe konform zhvillimeve të situatës epidemiologjike do të ndikohet që të merren edhe vendime të tjera. Por ajo që dëshirojmë ta tërheqim vërejtjen tani është se lirimi i disa masave, lirimi i mundësisë që shumë biznese të operojnë nuk nënkupton që ne e kemi tejkaluar situatën e vështirë”, tha Hoti.
Ai ka thënë se edhe më tej duhet të ketë kujdes, të mbahet distanca dhe të përdoren mjetet mbrojtëse.
“Do të bëjmë shumë kujdes, të rritet vigjilenca, të mbahet edhe më tej distancimi social, të përdoren mjetet mbrojtëse në mënyrë që çdo veprimtari e cila do të ushtrohet tani e tutje në një farë forme të zhvillohet brenda një mbrojtje shëndetësore e cila na siguron që në të ardhmen të jemi të mbrojtur nga virusi. Ministria e Shëndetësisë së bashku me IKSHPK-në, do ta analizojë rrjedhën e situatës dhe në fazat e mëtejme do të bëhet rivlerësimi i efekteve të këtyre masave dhe do të shikohet nëse ka nevojë të ndërmerren masa të tjera, ku disa veprimtari të cilat në këto faza do të lirohen për të operuar më tej”, tha Hoti për EO.
Hoti foli edhe për paralajmërimet e epidemiologëve se virusi mund të kthehet nëse nuk jemi të kujdesshëm.
“Mirëpo përkeqësimi i situatës mund të ndikojë që të kthehet, është shumë e rëndësishme që bizneset dhe qetarët tu përmbahen atyre rregullave që Ministria i ka përcaktuar gjatë kësaj faze. Situata është nën kontroll, fakti që kemi shifra të vogla të personave që kanë përfunduar me vdekje tregon që ka pasur një menaxhim të mirë të situatës. Ky funksionim brenda këtyre hallkave ka bërë që Kosova të jetë në mesin e atyre vendeve që deri tash ka pasur sukses në menaxhimin e pandemisë”, shtoi Hoti.
Hoti tha se Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe strukturat shëndetësore janë të mobilizuara ta përfundojnë një herë valën e parë e cila për fat të mirë në ditët e fundit po shkon drejt qetësimit për shkak se ka numër më të madh të pacientëve që shërohen krahasuar me numrin e atyre që rezultojnë pozitiv.
Hoti theksoi se institucionet duhet të mobilizohen që të përgatiten për një valë të re eventuale të Koronavirusit që mund të vij në vjeshtë, dimër.
“Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik dhe strukturat shëndetësore janë të mobilizuara ta përfundojnë një herë valën e parë e cila për fat të mirë në ditët e fundit po shkon drejt qetësimit për shkak se kemi numër më të madh të pacientëve që shërohen krahasuar me numrin e atyre që rezultojnë pozitiv. Ne në bazë të lakores të rasteve të regjistruara dhe atyre që e mundin sëmundjen shohim që kemi një trend shpresëdhënës dhe shpresojmë që shumë shpejt të lirohemi nga kjo problematik e shëndetit publik. Ne menjëherë si institucione do të mobilizohemi që të përgatitemi për një valë të re eventuale të Coronavirusit që mund të vij në vjeshtë, dimër apo edhe në muajt në vijim”, shtoi ai.
Ai tha se në bazë të projeksioneve që ka bërë IKSHPK-ja, Kosova është në skenarët më të butë të zhvillimit të pandemisë, mirëpo mund të ketë edhe raste të tjera, sepse një pakujdesi e vogël mund nxisë reaksione që mund të shkaktojnë me dhjetëra raste të tjera të infektuarve.