Aeroporti Ndërkombëtar i Prishtinës “Adem Jashari”, nuk ka ende një datë të saktë se kur nisin fluturimet.
Rikthimi i fluturimeve nga Aeroporti i Prishtinës do të bëhet pas një vendimi të Qeverisë së Kosovës.
Kështu ka bërë të ditur për media zëdhënësja e Aeroportit, Valentina Gara.
Gara duke folur për anulimin e fluturimeve të datës 13 dhe 14 qershor tha se fluturimet gjatë pandemisë nuk janë lejuar që të ketë fluturime të udhëtarëve, përveç atyre që janë riatdhesuar dhe këtu hyjnë edhe këto dy fluturime.
“Fluturimet gjatë pandemisë, shumica, janë anuluar prandaj edhe këto të datave të cekura nuk është se janë ndonjë përjashtim. Ndërsa sa i përket rikthimit të fluturimeve edhe në arritje me udhëtare mbetet deri në vendimin e Qeverisë së Kosovës për lejimin e tyre”, ka thënë Gara.
Ndërkohë, dy ditë më parë, ministri i Infrastrukturës, Arban Abrashi, ka kërkuar që hapja e kufijve ajrorë të Kosovës të mundësohet brenda dhjetë ditësh.
Ndryshe, qytetarët e Kosovës, natyrisht nëse kanë viza, dhe ata të vendeve tjera të rajonit të Ballkanit perëndimorë, do të mund të udhëtojnë në vendet e BE-së nga 1 korriku kur do të duhej të hapeshin kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian.
Këtë propozim për vendet anëtare për hapjen e kufijve e ka dhënë sot Komisioni Evropian duke konfirmuar kështu se kufizimet për hyrje në BE, të caktuara deri me 15 qershor, do të vazhdojnë për vendete Ballkanit perëndimor edhe dy javë por do të duhej të hiqen prej 1 korriku./