Disa zyrtarë të Policisë së Kosovës janë përfshirë në një përleshje fizike me një qytetar, pasi sipas tyre ky i fundit ka vozitur veturën në shëtitoren e Mitrovicës së Veriut, zonë në të cilën ndalohet qarkullimi me automjete.
Rasti ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës, ndërsa Gazeta Sinjali ka siguruar pamjet kur zyrtarët policorë përdorin forcën ndaj qytetarit që nuk iu bind urdhërit të tyre.
Fillimisht ai tërhiqet zvarrë nga vetura, më pas goditet fizikisht ku edhe dëgjohen britma në gjuhën serbe meqenëse dy palët e përfshira në rast janë të nacionalitetit serb.
Lajmin për Gazetën Sinjali e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë për rajonin e Mitrovicës së Veriut, Besim Hoti. Ai tha se ndaj të dyshuarit policia ka inicuar rast.
“Ka qenë në shëtitore, aty ku qytetari nuk ka dëgjuar urdhërat e policisë sepse është i ndaluar qarkullimi për automjete aty. Policia ka reaguar pasi ai s’ka dëgjuar urdhërat e policisë, është futur në zonën ku është i ndaluar qarkullimi i automjeteve, është shëtitore. Është inicu rasti, kundërvajtja kundër personit në fjalë”, tha Hoti të dielën për Gazetën Sinjali.
Pamjet nga ky rast mund t’i shihni në videon më poshtë.