Nora Kursani-Demjaha është emëruar u.d kryeinspektore e Inspektoratit Shëndetësor. Lajmin për KosovaPress e ka konfirmuar vetë ajo.
Nora Kursani-Demjaha është emëruar në këtë pozitë pas lirimit nga detyra të Shaban Osmanajt.
Ministria e Shëndetësisë, dje ka informuar se pas rastit të ndodhur në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, është liruar nga detyra u. d. i kryeinspektorit të Inspektoratit Shëndetësor, Shaban Osmanaj.
MSh ka potencuar se në rastin në fjalë ka dështuar zbatimi i detyrave dhe misionit.
“Konkretisht ka munguar komunikimi, informimi i drejtë dhe mbi të gjitha adresimi në kohë i rastit nga ana e Inspektoriatit Shëndetësor. Duke shprehur sinqerisht keqardhjen më të thellë për familjarët dhe të afërmit që janë ballafaquar me këtë ngjarje tepër të rëndë, ripërsërisim se etika dhe mbrojtja e dinjitetit njerëzor për pacientët e qytetarët në përgjithësi duhet të garandatohet në çdo rrethanë nga institucionet shëndetësore. Kush nuk mbërrin ta përmbushë këtë, nuk mund të vijojë të mbajë pozita menaxheriale. Në të njejtën kohë shprehim mbështetjen për Prokurorinë e Policinë që sa më parë që është e mundshme të ndërmarrin veprimet e duhura drejt zbardhjes së plotë të ngjarjes dhe adresimin e personave përgjegjës konkretë të veshur me këtë përgjegjësi.”, ka bërë të ditur MSh.
Ndryshe, gjatë javës së kaluar në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës, një foshnje e lindur pa shenja jete dyshohet se është futur në rrobalarëse, e mbështjellur me çarçafë nga personeli mjekësor.
Rastin për Kosovapress e kanë konfirmuar nga Prokuroria Themelore e Pejës. Zëdhënësi i kësaj Prokurorie, Shkodran Nikçi ka deklaruar se Prokurorja e rastit ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës.
“Rasti ka ndodhur javën e kaluar. Menjëherë pas informatave në vendin e ngjarjes ka shkuar Prokurori i nga Departamenti i Krimeve të Rënda së bashku me Inspektoratin Shëndetësorë dhe policinë. Rasti është duke u hetuar dhe jemi në pritje të raportit nga Inspektorati Shëndetësorë lidhur me këtë ngjarje. Prokurorja e rastit sot ka pasur një takim konsultativ me prindin e foshnjës për të kuptuar më shumë rreth rastit”, ka bërë të ditur Nikçi.
Ndërkaq, Spitali i Përgjithshëm në Pejë ka bërë të ditur se opinioni do të njoftohet me detaje rreth rastit.