Takimi i Fan Nolit me presidentin Wilson është mbajtur në 4 korrik 1918. Megjithëse Noli nuk kishte asnjë titull zyrtar për të përfaqësuar Shqipërinë, përveç mandatit të “Vatrës”, ky takim i Nolit me Woodrow Wilsonin mund të quhet si jo vetëm i pari kontakt i një përfaqësuesi të shqiptarëve me qeverinë amerikane, madje në nivelin më të lartë, nga ana amerikane, por edhe nga më të rëndësishmit. Takimi përbën një gur themeli në marrëdhëniet shqiptaro-amerikane. Koha e takimit, arsyeja dhe vendi ku u bë takimi, kanë një kuptim të madh.
Në verën e vitit 1918 kur ishte bërë e qartë se Luftën e Parë Botërore po e fitonte Antanta, ku bënte pjesë edhe SHBA, presidenti Wilson, duke qenë se dyshonte në qëllimet e pasluftës të aleatëve të tij evropianë, vendosi të shpallte programin e Amerikës për mënyrën sesi duhet të bëhej rregullimi i botës së pasluftës. Ky program i përmbledhur në katër pika, dhe që u njoh më vonë me këtë emër “Katër pikat” e presidentit Wilson, ishte një program i gjeopolitikës etike.
Për të shpallur programin e tij, presidenti Wilson zgjodhi një vend historik, malin Vernon, ku gjendet varri i George Washintonit, një nga etërit themelues të SHBA dhe të parit
president të vendit. Me rastin e shpalljes që do të bënte në malin Vernon, Wilsoni ftoi që ta shoqëronin edhe delegatët pjesëmarrës në Kongresin e Kombeve të Shtypura, që po mbahej në Uashington në atë kohë, me qëllim që të kërkohej ndihma e SHBA dhe e fuqive fituese të luftës për këto kombe. Një nga delegatët pjesëmarrës në kongres ishte edhe Noli, i cili përfaqësonte Shqipërinë, si i dërguar i “Vatrës”. Kështu që edhe Noli e shoqëroi presidentin amerikan në udhëtimin për në malin Vernon.
Megjithëse ka emrin “mal”, Mali Vernon nuk është aspak një mal. Ky emërtim figurativ i është vendosur nga familja e George Washington. Në fakt, mali Vernon është një territor fushor në breg të lumit Potomac, në Kontenë Fairfax, në Virginia. Presidenti Wilson shkoi atje duke lundruar me jahtin presidencial Myflower nëpër lumin Potomac, i cili kalon përmes kryeqytetit amerikan Washington. Në jahtin presidencial udhëtonin edhe delegatët e kongresit të kombeve të shtypur. Asnjë kryetar shteti i një fuqie të madhe nuk u kishte kushtuar deri në atë kohë një vëmendje të tillë përfaqësuesve të popujve të shtypur.
Fan Noli do ta përshkruante shumë herë gjatë jetës së tij takimin historik me presidentin Wilson dhe çdo herë do të sillte detaje të reja, të rëndësishme. Kështu, në autobiografinë e tij Noli shkruan për takimin me Wilsonin:
Si delegat i Vatrës Fan Noli mori pjesë në Kongresin e kombeve të shtypur që u mbajt në Uashington nën përkrahjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara. Delegatët e Kongresit shoqëruan Presidentin Uillson deri në varrin e Xhorxh Uashingtonit në Maunt Vermont ku ai mbajti fjalimin e tij të famshëm të Katër pikave, më 4 korrik 1918. Kjo i dha rast Fan Nolit të takohej me Presidentin Uilson në jahtin presidencial “Mejflauer” dhe i bëri thirrje atij të rivendoste pavarësinë e Shqipërisë, e cila ishte shkelur nga ushtritë e huaja gjatë Luftës së Parë Botërore.
Ky mund të quhet si një tregim i përmbledhur dhe gjakftohtë që Noli i ka bërë takimit me Wilsonin. Por një përshkrim me shumë ndjenjë Noli ia ka bërë këtij takimi historik, pikërisht në mbrëmjen e ditës që ai u bë, në 4 korrik 1918. Atë ditë mbahej kuvendi vjetor i “Vatrës” në Boston dhe Noli, duke rendur ashtu si Marathonomaku i poezisë së tij të famshme, pasi u kthye në mesditë në Washington me jahtin presidencial, i hipi trenit për në Boston dhe shkoi drejt e në sallën ku mbahej kuvendi i shqiptaro-amerikanëve, i cili po e priste atë për të mbajtur fjalimin e hapjes. Dhe Noli, në fjalimin e tij u dha bashkëkombësve lajmin e takimit me Wilsonin, duke treguar dhe hollësi për takimin, që nga mënyra e pritjes plot nderime:
Ndofta e dëgjuat që Ditën e Indipendencës Presidenti Wilson desh ta kremtonte atë ditë si Ditën e Indipendencës për tërë botën. Për këtë arsye guverna amerikane i thirri si mysafirë kryetarët e gjithë kombësive të huaja që ndodhen në ktë vënt bujar. Idea ishte që tërë kombësitë së bashku të mblidheshin atje për të thyer shpirtën e autokracisë. Kryetari i Vatrës u ftua. Në kryeqytet na pritnë me nderime të mëdha. Me automobilla na shpunë gjer në jahtin e Presidentit, ku neve të përunjurit, të varfërit u gjetmë midis tërë dipllomatëve. Atje, Presidenti, e shoqja dhe e bija na përshëndoshnë, dyke na kërkuar emrat dhe përfaqësimin tonë.
Ndofta ish e para herë për ta që u bashkuan me një Shqiptar. I shtrënguam dorën të gjithë njëri pas jatërit dhe hymë brënda në anijen e bukur të Presidentit “Mayflower”. Udhëtimi nga Uashingtoni në Malin Vernon ish idealistik. Lumi Potomak dhe rrethet përbënin një panoramë kaq të bukur. Pas zakonit Presidenti në tërë udhëtimin i priti të tërë dipllomatët me të cilët u bashkëfjalos. Duallmë në mal ku ish varri i atij që krijoi këtë shtet. Që të gjithë neve patmë nderin të depozitojmë nga një kurorë mi varrin e tij, i cili ish aq i varfër sa dhe simple.
Ndërsa të pranishmit në kuvendin e “Vatrës” prisnin të dëgjonin se çfarë kishte thënë Wilsoni për Shqipërinë, Noli zgjatej duke folur për mënyrën sesi i kishin pritur atë dhe delegatët e tjerë. Por Noli nuk kishte faj këtu, se atij me të drejtë i kishin bërë përshtypje të madhe nderimet me të cilat u pritën nga qeveria amerikane ai dhe përfaqësuesit e tjerë të kombeve të shtypur, të cilët nuk përfilleshin nga qeveritë e fuqive të mëdha evropiane. Sipas zakonit amerikan, Wilsoni kishte krijuar një atmosferë familjare për të ftuarit, jo vetëm duke i pritur bashkë me familjen e tij, gruan dhe vajzën, por edhe duke u përfshirë ato në bisedat me të ftuarit, kuptohet në pjesën jozyrtare të aktivitetit. Por nga mënyra si flet Noli kuptohet se kjo atmosferë familjare e krijuar nga njeriu më i fuqishëm i botës, kishte ndikuar që delegatët e ndrojtur të kombeve të shtypura të shpreheshin lirshëm. Noli në këtë udhëtim pati rastin që të takohej dy herë me Wilsonin. Herën e parë gjatë qëndrimit në malin Vernon dhe herën e dytë gjatë rrugës së kthimit në jaht. Në këtë takim të dytë, u fol më tepër për Shqipërinë. Në të njëjtin fjalim para Kuvendit të “Vatrës” Noli thotë për këtë ngjarje: Kur u kthyem nga Mali Vernon pata rastin e mirë të fjalosem me Presidentin Wilson, të cilit i thashë që po të mbretërojnë ato parime që deklaroi në fjalën e tij, s’ ka dyshim që edhe Shqipëria do të fitonjë të drejtat e saj.
Parimet që u shprehën në fjalimin e presidentit Wilson ishin të tillë që bota nuk i kishte dëgjuar kurrë deri në atë kohë. Wilsoni shpalli se bota duhet të rregullohej mbi bazën e parimeve mbi të cilët ishte ndërtuar SHBA nga etërit themelues. Noli tha: Kur u kthyem nga Mali Vernon pata rastin e mirë të fjalosem me Presidentin Wilson, të cilit i thashë që po të mbretërojnë ato parime që deklaroi në fjalën e tij, s’ ka dyshim që edhe Shqipëria do të fitonjë të drejtat e saj.
Në qoftë se pjesa më e madhe e përfaqësuesve të kombeve të shtypura flisnin me përkthyes me Wilsonin, dhe të tjerët flisnin një anglishte të thyer, bashkëbiseduesi shqiptar fliste me Wilsonin anglishten e Harvardit ku kishte marrë diplomën pak kohë më parë. Wilsoni, ish-presidenti i Universitetit Princeton dhe i diplomuari i Universitetit “John Hopkins”, që sigurisht i vëzhgonte njerëzit edhe me syrin e studiuesit dhe njeriut me kulturë të madhe, nuk e pati të vështirë të dallonte te Noli njeriun e madh që përfaqësonte një popull të vogël. Ishte ky një kombinim perfekt për të zgjuar simpatinë e Wilsonit, i cili si politikan ishte i dashuruar me kauzat e vendeve të vogla dhe të pafuqishme, dhe si akademik nuk mund të mos kishte simpati për njerëzit me kulturë të madhe, të cilët e dallojnë lehtë njëri-tjetrin, edhe kur kalojnë vetëm pak kohë bashkë. Prandaj Wilsoni nuk u fye nga mosbesimi i shprehur prej Nolit por e pa si detyrim që t’i thoshte diçka më tepër atij, si shpjegim. Noli thotë për vazhdimin e bisedës: Më tha që ato parime do të mbretërojnë se për to lëftojmë. Në këto fjalë të bën përshtypje se Wilsoni tha “lëftojmë”, domethënë e llogariti edhe Nolin si bashkëluftëtar, megjithëse Shqipëria nuk ishte aleate e Amerikës në këtë luftë botërore, dhe në përgjithësi nuk ishte e rreshtuar me asnjërën palë ndërluftuese, por ishte bërë arenë e luftës së ushtrive të dy palëve. Por duket se në këtë çast Wilsoni iu drejtua Nolit si amerikan, pra i kërkoi që të kishte besim si amerikan, për kërkesën që i kishte bërë si shqiptar. Ky ishte një respekt i veçantë që Wilsoni po i bënte këtij shqiptaro-amerikani të shquar, i cili në fakt nuk e kishte marrë akoma shtetësinë amerikane.
Kur Wilsoni takoi Nolin, nuk mund të thuhet se presidenti amerikan ishte pa njohuri për Shqipërinë. Gjatë mandatit të parë të Wilsonit si president, një ambasador amerikan në Ballkan, George Fred Williams, kishte dhënë dorëheqje si protestë për trajtimin e shqiptarëve. Në Amerikë presidenti e ka për detyrim ta presë një ambasador që bën një gjest të tillë, sepse ambasadorët janë përfaqësues të kryetarit të shtetit. Gjithashtu, Wilsoni patjetër që kishte dëgjuar për Shqipërinë nga miku dhe këshilltari i tij, Charles Crane. Para takimit me Wilsonin Noli e shikonte si plotësisht të errësuar fatin e Shqipërisë.
Atë ditë fati i Shqipërisë ish m’ i ndriçuar. Atmosfera familjare e krijuar qëllimisht për të ftuarit nga presidenti Wilson, i dha kurajo Nolit duke e bërë që gjatë rrugës së kthimit me jaht për në Washington, të hynte në bisedë edhe me zonjën Wilson, duke lobuar edhe pranë saj për Shqipërinë. Noli tregon për këtë në kuvendin e “Vatrës” po atë ditë: M’u duk për mirë që t’i flisnja dhe zonjës Wilson. Kur u afëruam afër kryeqytetit, pashë që Zonja e Presidentit ish më nj’ anë dhe kish kthyer sytë në bregonjat anës lumit. Iu afrova dhe i thashë:
“Zonjë, Shqiptarët më kanë porositur që t’ ju lutem që të kujtoni Shqipërinë, një vënt aq i varfër, pa miq dhe pa nonjë përkrahje. Po nuk qajnë për urinë dhe mjerimet që heqin, po për humbjen e saj.”
“Po, më thotë. Na vjen shumë keq për kombësitë e vogla si Shqipëria, Belgjia e të tjerat.”
“Situata jonë zonjë, i thashë, është shumë e koklavitur dhe e trazuar.”
Nga mënyra se si iu përgjigj Fan Nolit zonja Wilson kuptohet se ajo kishte dijeni për Shqipërinë dhe problemet e saj. Meqenëse z. Charles Crane ishte mik i familjes Wilson ajo sigurisht që kishte dëgjuar prej tij për aventurën e tij në Shqipëri në 1911, dhe për nismën që ai ndërmori për një fushatë ndihme humanitare në Shqipëri. Noli e kuptoi këtë gjë, ose ndoshta ishte informuar dhe madje ishte nxitur nga vetë zoti Crane, i cili ishte shumë i njohur në komunitetin shqiptaro-amerikan, prandaj mori guximin që ta zgjaste bisedën me Zonjën e Parë të SHBA, duke bërë provë që t›i shpjegonte asaj se ku qëndronte komplikimi i situatës në të cilën gjendej Shqipëria. Për fatin e mirë të Fan Nolit dhe të Shqipërisë, presidenti Wilson iu bashkua atyre të dyve dhe Noli pati përsëri rast të fliste me të për Shqipërinë. Ja tregimi i Nolit: Presidenti Wilson, i cili po fjalosej me një dipllomat afër neve, u kthye dhe më thotë: “Me të vërtetë është shumë e koklavitur.” Atëherë unë mora kuxim dhe i thashë: “E vetmja shpresë për Shqiptarët është Amerika dhe ju, z. President.”
“Unë, u-përgjegj ay, do të kem vetëm një zë në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor dhe për të drejtat e Shqipërisë.”
I thashë që ay zë është i mjaftë për Shqiptarët dhe ata do të jenë vdekërisht të gëzuar dhe fare të sigurtë për të drejtat e tyre. Sidoqoftë Noli e arriti atë që donte duke marrë nga presidenti amerikan të shprehur qartë atë premtim që dëshironte të dëgjonte prej tij. Dhe Noli i besoi në çast Wilsonit. Sepse Noli i njihte tanimë amerikanët dhe e dinte se ata nuk e kishin zakon që të gënjenin kur jepnin fjalën për të bërë një të mirë për të cilën nuk kishin ndonjë interes dhe nuk përfitonin gjë, përveç ndjenjës se kishin bërë një vepër të mirë. Në raste të tilla amerikanët nuk jepnin premtime kur nuk kishin ndërmend ta bënin atë gjë që iu kërkohej atyre. Fjalët e Wilsonit, të përcjella nga Noli u bënë legjendare në Shqipëri. Mund të merret me mend se sa xheloz është bërë për Nolin dhe si e ka mallkuar ai diplomati me të cilin ishte duke biseduar presidenti amerikan, që u shkëput prej tij, sepse i tërhoqi vëmendjen tema e bisedës së bashkëshortes së tij me Nolin. Duke qenë se sigurisht ky diplomat i akredituar në Washington nuk e njihte Nolin, të cilin nuk e kishte parë kurrë, me siguri që ka menduar se duhet të jetë një njeri shumë i rëndësishëm që e tërhoqi kështu dy herë vëmendjen e Wilsonit. Në përfundim të bisedës Wilsoni si me shaka i dha dhe një këshillë Nolit, që t’ua përcillte bashkëkombësve të tij:
Me nënqeshje kryetari i amerikanëve më tha: “Jo, mos ia u thuaj pikërisht ashtu shqiptarëve se ahere ata do ta lënë punën e tyre në gjumë. Duhet ata paskëtaj të punojnë ca më tepër se kurdoherë”.
Me këtë Wilsoni donte që me anë të Nolit t’u jepte shqiptarëve një mesazh se nuk duhet të rrinin duarkryq dhe të prisnin nga bota që ta begatonte shtetin e tyre, pasi e kishte shpëtuar atë. Amerika do t’u ndihmojë për të shpëtuar shtetin tuaj nga copëtimi, po iu thoshte Wilsoni shqiptarëve, por këtu nis puna juaj, dhe ju pas kësaj duhet të punoni shumë për ta begatuar atë, madje më tepër se ç’ po bëni përpjekje për ta shpëtuar. Kjo këshillë e dytë e Wilsonit vlen për shqiptarët edhe sot e kësaj dite. Në Tiranë ka një statujë të Wilsonit, por atje duhet të ishin shkruar këto fjalë që ai tha si porosi për shqiptarët. Noli, me përshtypje akoma të freskëta nga takimi me Wilsonin, iu tha po atë ditë delegatëve të kuvendit të “Vatrës”: Por munt t’ju thom Zotërinj delegatë: Kur i thashë që ju Z. President munt ta shpëtoni Shqipërinë, ia thashë jo vetëm me gojë po me tërë veten dhe në grykë ndjeva një lëmç të pagëlltitëshmë, se më në funt dolla përpara njeriut që me të vërtetë munt të shpëtonjë Shqipërinë po të dojë. Noli ishte i vetëdijshëm se ky ishte një çast historik për të dhe për Shqipërinë. Në këtë çast Nolit i duheshin përpjekje të mëdha për të mposhtur emocionet që e kishin përfshirë në mënyrë të natyrshme, pasi edhe ai vetë nuk e besonte dot se gjendej përballë njeriut më të fuqishëm të botës, i cili ishte gati ta dëgjonte atë t’i fliste në emër të shqiptarëve. Për një njeri si Noli që kishte ardhur në Amerikë me mundime të mëdha, dhe atje kishte bërë përpjekje të mëdha për të mbijetuar dhe për t’u shkolluar, takimi dhe biseda me Wilsonin ishte njëlloj sikur t’i fliste Statuja e Lirisë dhe t’i bënte një premtim për Shqipërinë. Siç e dimë të gjithë nga historia, Wilsoni e mbajti fjalën që iu dha shqiptarëve nëpërmjet Nolit. Fan Noli do të tregonte përsëri me emocione të mëdha për këtë takim, në fjalimin e mbajtur në parlamentin shqiptar në 11 shkurt 1924, me rastin e vdekjes së presidentit Wilson, ku kujton takimin me të. Tanimë akti i Wilsonit në dobi të Shqipërisë ishte i njohur për të madh e të vogël në vend dhe Wilsoni kishte fituar mirënjohjen e çdo shqiptari. Dita e vdekjes së tij ishte një ditë zie për shqiptarët dhe parlamenti shqiptar mbajti zi zyrtarisht për vdekjen e tij. Duke përkujtuar gjestin e Wilsonit në dobi të Shqipërisë, Noli iu tregoi deputetëve për takimin: E kam njohur këtë kalorës të kohëve në një kohë tragjike, më 4 të korrikut 1918, në Yacht-in Presidencial “Mayflower”, ku i rrethuar prej kabinetit, prej trupit diplomatik dhe prej përfaqësonjësve të racave të ndryshme në Shtetet e Bashkuara, shkonte te varri i Washingtonit për të prononcuar të parin diskors luftëtar. Ahere iu afrova dhe i bëra një apel në emër të kombit tonë fatzi, dhe përgjigjen e tij bujare e mbanj ment sikur po e dëgjon sot: “Një zë do të kem në kongresin e paqes dhe atë zë do ta përdor për të mirën e Shqipërisë”. Në këtë çast Noli u duartrokit nga të gjithë deputetët e parlamentit shqiptar, pa dallime partiake. Le të mos harrojmë se jemi në shkurt 1924, kur konflikti politik në vend kishte arritur kulmin, pas pak ditëve në parlament do t’i bëhej atentat kryeministrit Ahmet Zogu, pak muaj më vonë do të shpërthente në vend një revolucion, dhe palët politike që ishin gati në çdo çast për të nisur luftën me njëra-tjetrën, bashkoheshin befas për të duartrokitur për Wilsonin! Presidenti amerikan i vdekur kishte fuqi t’i bashkonte deputetët shqiptarë që ishin gati të vdisnin se të bashkoheshin për ndonjë gjë me kundërshtarët e tyre. Noli në takimin e vetëm që pati me Wilsonin, nuk mund të mos e vëzhgonte atë edhe me syrin e shkrimtarit të madh, të aftë për të zbuluar cilësitë e veçanta të personazheve historike. Në këtë këndvështrim, Noli jep këtë përshtypje për Wilsonin: Në çdo gjest e në çdo fjalë çfaqej njeriu mistik i iluminuar, i dërguar prej Perëndisë për një mision të shenjtë. Pranë një karakteri të çelniktë kishte mirësinë e Shën Françeskut. Më pas, shumë presidentë dhe kryeministra të Shqipërisë kanë pasur rastin të takohen me presidentët amerikanë, por takimi i Nolit me Wilsonin në 1918 mbetet ende dhe sot më i rëndësishëm se të gjithë këto takime. Ishte një fat i madh për Shqipërinë që njeriu të cilit i takoi t’i përfaqësonte shqiptarët para Wilsonit, duke u bërë kështu shqiptari i parë dhe ndoshta i fundit që takoi Wilsoni në jetën e tij, dhe nëpërmjet të cilit presidenti amerikan, formoi një opinion për shqiptarët, ishte pikërisht Fan Noli. Kështu Wilsoni i njohu shqiptarët nëpërmjet një njeriu me formim perëndimor, me kulturë të madhe, me aftësi të mëdha prej oratori. Në 4 korrik 1918 një përfaqësues i shqiptarëve kishte rastin për herë të parë të fliste me presidentin Wilson për çështjen e Shqipërisë dhe këtu zuri fill shpëtimi i Shqipërisë. Janë të rralla çaste të tilla historike si ky në marrëdhëniet e vendeve të vogla me vendet e mëdha. Nuk ka asnjë çast të ngjashëm në historinë e Shqipërisë, që një përfaqësues i shqiptarëve të jetë trajtuar nga lideri i një fuqie tjetër të madhe, ashtu siç u trajtua Fan Noli nga Woodrow Wilsoni