Drejtoresha e Drejtorisë për Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi në Klinë, Njomza Grabanica përmes një postimi në FB ka dhënë një sqarim lidhur me publikimet në media për ngritjen e aktakuzës nga Prokuroria Themelore në Pejë ndaj saj.
Ajo thotë se dëshiron t’i informoj qytetarët se Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj saj për veprën penale “keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”
Ky është postimi i saj i plotë:
Sqaroj opinionin se ngritja e kësaj aktakuze është bërë sepse në Drejtorinë e Kadastrit, Pronës dhe Gjeodezisë ka punuar një punëtor si praktikant, pra pa asnjë lloj pagese, por që sipas dispozitave ligjore nuk ka pasur të drejtë.
Angazhimi i tij ka qenë vital për funksionimin normal të drejtorisë, duke i ditur problemet që kemi me numrin e vogël të stafit të punonjësve dhe numrin e lëndëve të pakryera.
Qëllimi ka qenë kryerja e lëndëve në afat sa më të shpejt të mundshëm dhe plotësimi i kërkesave të qytetarëve.
Me shqetësim i kam përcjellur sot shkrimet në media lidhur me ngritjen e aktakuzës ndaj meje.
Raportimet e mediave nuk kanë qenë aspak profesionale, duke e cilësuar lëndën si “korrupsion”.
Për hirë të informimit të drejtë, theksoj se asnjëherë në jetën time, e as gjatë ushtrimit të funksionit të drejtoreshës në DKPGJ, e asnjëherë tjetër, nuk jam korruptuar dhe askush nuk mund t`ma drejtojë gishtin për këtë. Prandaj kërkoj nga të gjithë që informimet të jenë të sakta dhe të plota, jo gjysmake dhe që krijojnë mjegull.
Pas konsultimit me avokatin tim, ne do t`i paraqesim provat e mjaftueshme që besojmë do ta rrëzojnë pretendimin e prokurorisë dhe do të del e vërteta në shesh.
Jam plotësisht e pafajshme dhe besoj se drejtësia e paanshme do të hedhë poshtë pretendimet e prokurorisë, të motivuara nga kushdoqofshin.