Të shtunën, Spanja i ka njohur pasaportat e Kosovës.
Ky vendim erdhi disa ditë pas hyrjes në fuqi të liberalizimit të vizave për qytetarët kosovarë.
Njohjes së pasaportave i është gëzuar edhe rajoni i Katalunisë, i cili tash e sa kohë po e kërkon pavarësinë nga Spanja.
Por, vendimi për njohjen e dokumenteve të udhëtimit sipas qeverisë spanjolle nuk lidhet edhe me njohjen e Kosovës si shtet.
Spanja është një nga pesë shtetet mosnjohëse të shtetësisë së Kosovës, bashkë edhe me Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron, shkruan Financial Times.
Lidhur me mosnjohjen kishte folur edhe ministri i Jashtëm i Spanjës, Jose Manuel Albares.
“Spanja nuk e njeh ende Kosovën, sovranitetin apo pavarësinë e Kosovës, sepse ne nuk njohim deklaratat e njëanshme të pavarësisë”, kishte thënë ai.
Njohja e pasaportave të Kosovës ka nxitur reagime në Spanjë, por sipas ekzekutivit atje kjo s’ka të bëjë me “zbutje” tjetër ndaj Katalonjës.
Partitë pro-pavarësisë së Katalonjës në nëntor arritën dakord për mbështetjen e kryeministrit Pedro Sanchez edhe për një mandat. Partitë e këtij rajoni mbesin mbështetëse të pavarësisë së Kosovës.
Një zyrtar i “Together for Catalonia (Bashkë për Katalonjën)”, parti në Katalonjë, ka thënë se janë të lumtur për kosovarët dhe të gëzuar që nuk do të kenë nevojë për të lobuar rreth kësaj teme në Kuvendin e Spanjës.
Qeveria rajonale e Katalonjës, e udhëhequr nga E Majta Republikane katalonjase, ka thënë se “qëndrimi i saj është në përputhje të plotë me pozicionin e institucioneve evropiane për njohjen dhe sovranitetin e Kosovës”. “Është Spanja ajo që ka qëndrim ndryshe. Është anomali”, kanë deklaruar ata shkruan Financial Times.
Edward Joseph, ekspert për Ballkanin në Universitetin “Johns Hopkins” në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e ka vlerësuar vendimin e Spanjës si “hap të madh përpara, duke paralajmëruar përfarim të mëtejmë të NATO-s dhe BE-së për çështjen e shtetësisë së Kosovës”.
“Është çështje kritike për stabilitetin e rajonit”, ka thënë ai duke shtuar se vendimi i ri i Spanjës hap mundësi të reja bashkëpunimi.