Njësia e Zjarrfikësve mban takim informues në Shkollën Fillore “Ismet Rraci”

Në kuadër të aktiviteteve për vetëdijesimin dhe përgatitjen e qytetarëve për situata emergjente, Njësia e Zjarrfikësve nga Komuna e Klinës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Shërbimeve Publike, ka zhvilluar një takim informues në Shkollën Fillore “Ismet Rraci”.

Qëllimi i këtij aktiviteti ishte promovimi i masave parandaluese kundër zjarreve, si dhe informimi i nxënësve dhe stafit pedagogjik mbi mënyrat e reagimit në raste urgjente. Specialistët e zjarrfikësve prezantuan informacione kyçe mbi mbrojtjen nga zjarri dhe masat që duhen ndjekur për të reduktuar rreziqet në përditshmëri.

Gjatë takimit, u demonstruan edhe pajisjet që përdoren në intervenime, përfshirë aparatet zjarrfikëse të dorës, mjetet për prerjen e metaleve dhe pajisje të tjera të specializuara, duke u ofruar nxënësve dhe stafit një mundësi për t’i parë nga afër dhe për të kuptuar funksionin e tyre.

Pjesa kulmore e aktivitetit ishte demonstrimi praktik i shuarjes së zjarrit, i realizuar në oborrin e shkollës. Ky ushtrim praktik u mirëprit nga pjesëmarrësit dhe shërbeu si një mësim i drejtpërdrejtë për mënyrën e veprimit në situata reale.

Ky takim u vlerësua si një hap i rëndësishëm drejt ngritjes së ndërgjegjësimit për sigurinë dhe forcimit të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve arsimore dhe shërbimeve publike. Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe stafi i shkollës “Ismet Rraci” falënderuan përzemërsisht Njësinë e Zjarrfikësve për përkushtimin, profesionalizmin dhe angazhimin e vazhdueshëm në mbrojtjen e jetës dhe pasurisë së qytetarëve.