Sot është bërë një vit nga fillimi i vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë.
Ministria e Shëndetësisë ka theksuar se pavarësisht që Kosova ka qenë shteti i fundit në rajon që ka filluar procesin e vaksinimit, ky vit e gjen atë në shkallë më lartë të vaksinimit krahasuar me disa shtete të rajonit.
“Kosova ia ka dalë që të ketë shkallë më të lartë të vaksinimit se shtetet e rajonit, përfshirë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Shqipërinë, Bosnjë e Hercegovinën, Bullgarinë dhe shtete të tjera, përderisa ka shkallë të krahasueshme me disa shtete të Evropës” është thënë në këtë njoftim.
Sipas MSh-së janë administuar mbi 1,820,000 doza të administruara, vaksinimi te popullata mbi 18-vjeçe në Kosovë ka arritur në 70 për qind me një dozë dhe 63.4 për qind me dy doza.
Sipas këtij njoftimi, 62.7 për qind e popullatës mbi 12-vjeçe janë vaksinuar me një dozë të vaksinës anti-COVID-19, kurse, të pajisur me dy doza nga kjo pjesë e popullsisë janë 57.1 për qind.
“Sfidë mbetet vaksinimi me dozën e tretë, ku vetëm rreth 7 për qind e popullatës mbi 12-vjeçe e kanë marrë atë”, është thënë në njoftim.
Kontingjenti i parë i vaksinave kishte ardhur në Kosovë më 28 mars 2021, kjo gjë ishte është mundësuar nga organizata UNICEF, nëpërmjet programit COVAX ku si fillim Kosovës i ishin ndarë 24 mijë doza vaksinash.
Me arritjen e këtyre vaksinave, në kategorinë e parë të personave që kishin prioritet për vaksinim ishin personeli shëndetësor dhe personat mbi moshën 80-vjeçare me sëmundje kronike më të mëdha.
Procesi u përcoll me shumë kritika, ndërsa institucionet shëndetësore në vend ende marrin merita se e kanë menaxhuar mirë me COVID-19. Mijërave vaksinave u doli afati e vaksinat e para Kosova i bleu tre muaj pasi filloi vaksinimi.
Në fillim të procesit të vaksinimit, Ministria ishte këmbëngulëse në atë që qytetarët duhet të presin për të pranuar një ftesë për t’u vaksinuar, duke inkurajuar njerëzit të aplikojnë ose përmes platformës e-Kosova ose qendrës së tyre lokale të mjekësisë familjare.
Shumë qytetarë pa ndonjë termin paraprak u kthyen prapa nga qendrat e vaksinimit në ditët e para të vaksinimit, duke rezultuar me ankesa për vështirësitë e regjistrimit të qytetarëve të moshuar, shumë prej të cilëve nuk dinë të punojnë me kompjuterë.
Tre muaj pas fillimit të vaksinimit për disa kategori, më 29 qershor Ministria e Shëndetësisë kishte filluar vaksinimin masiv të qytetarëve kundër COVID-19. Në po të njëjtën ditë ishin konfirmuar edhe tri rastet e para të variantit Delta të COVID-19.
Ndonëse Ministria kishte emëruar këtë plan vaksinimi ‘masiv’ edhe më tej kishte vazhduar të vaksinonte qytetarët vetëm me një ftesë nga ky institucion dhe pa asnjë vaksinë të blerë nga buxheti i Kosovës.
Disa ditë më pas, kishin arritur në Kosovë kishte mbërritur kontigjenti i parë i vaksinave kundër COVID-19 të Pfizer/BioNTech, nga kontrata e nënshkruar mes Ministrisë së Shëndetësisë dhe prodhuesit Pfizer.