Një polic është konfirmuar pozitiv me koronavirus në Policinë Rajonale të Gjakovës dhe pesë të tjerë janë në vetizolim duke pritur rezultatet e testimit.
Kështu ka bërë të ditur komandanti i Policisë në Gjakovë, Lumni Graishta i cili tha se që nga fillimi i pandemisë 17 pjesëtarë policorë kanë rezultuar pozitiv me COVID-19, ndërsa një pjesëtar policor ka vdekur si pasojë e infektimit me këtë virus.
“Drejtoria Rajonale e Gjakovës, që nga fillimi i pandemisë kemi 17 zyrtarë policorë, fatkeqësisht e humbëm një koleg, këtu në stacionin policor në Gjakovë. Aktualisht kemi 6 zyrtarë në vetizolim prej tyre vetëm njëri është i konfirmuar pozitiv, tjerët janë në pritje të rezultateve”, ka thënë Graishta.
Tutje ai tha se qytetarët në përgjithësi po i respektojnë masat e ndërmarra nga Qeveria e Republikës së Kosovës.
“Qysh nga fillimi këto masa kanë pësuar ndryshime të kohëpaskohshme. Jo vetëm qytetarët e Gjakovës por të gjithë qytetarët e zonës, kanë qenë ndër qytetarët më të ndërgjegjshëm rreth vendimeve. Ka pas edhe individë qoftë për arsye të ndryshme apo nga pakujdesia që nuk i kanë respektuar këto masa”, ka thënë Graishta për RTV Dukagjinin.