Gjashtë persona janë konfirmuar të prekur me COVID-19 nga komuna e Pejës, ku një prej tyre është në gjendje më të rëndë dhe është duke u trajtuar në Klinikën Infektive në Prishtinë, ndërsa 5 raste të tjera janë duke u trajtuar në shtëpitë e tyre dhe gjendja shëndetësore e tyre është stabile.
Drejtori i Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës, Petrit Loci, thotë se si komunë i kanë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.
Loci për KosovaPress, ka bërë të ditur se gjendja e një pacienteje që gjendet në Klinikën Infektive është e rëndë, ndërsa 5 personat e tjerë të prekur nga ky virus janë duke u trajtuar nëpër shtëpitë e tyre.
“Që nga fillimi i pandemisë janë 6 raste të konstatuara, ku një prej tyre rasti i parë është i shtrirë në Klinikën Infektive në QKUK, ndërsa 5 raste të tjera janë duke u trajtuar në vendbanimet e tyre, pra në izolim shtëpiak… Gjendja shëndetësore nuk ka qenë e mirë për shkak të moshës së pacientes dhe sëmundjeve kronike të tjera të cilat i ka. Ndërsa gjendja shëndetësore e 5 personave të tjerë është stabile”, tha ai.
Loci tha se kanë bërë gjurmimin e të gjithë personave që kanë pasur kontakt me personat e prekur me virusin COVID-19.
“Po, janë protokollet të cilat i përdorim tek personat të cilët janë konstatuar dhe janë kontaktet të cilat i monitorojmë, pra kontaktet e para, të dyta dhe të treta. Si dhe i përcjellim të gjitha rastet të cilave iu ka caktuar masa e izolimit shtëpiak”, tha Loci.
Sa i p ërket furnizimit me mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor, ai tha se për momentin kanë mjaftueshëm. Ai po ashtu, u shpreh i kënaqur me furnizimin që kanë marrë nga Ministria e Shëndetësisë.
“Po bëjmë të pamundurën që stafi ynë të jetë i pajisur me mjete mbrojtëse. Furnizohemi kohë pas kohe nga furnizimet të cilat i bëjmë nga Ministria e Shëndetësisë dhe furnizimet vetanake të cilat i sigurojmë, në mënyrë që të jemi të kompletuar me masa mbrojtëse sa i përket stafit mjekësor”, deklaroi ai.
Edhe Naim Sahiti, zyrtar për informim në spitalin rajonal të Pejës, për KosovaPress tha se kanë mjaftueshëm mjete mbrojtëse për personelin shëndetësor.
“Kryesisht është i furnizuar me të g jitha ato mjete që i nevojiten personelit, sigurisht që kemi maska kirurgjikale, pastaj dorëza, mantila kirurgjikal, kemi edhe uniforma për personelin tonë që ka për të punuar drejtpërdrejtë me pacientët që vijnë në rastet e triazhimit. Për momentin mund të themi me përgjegjësi të plotë se kemi mjete mbrojtëse të mjaftueshme… nuk kemi pasur asnjëherë një periudhë ku nuk kemi pasur mjete mbrojtëse dhe dezinfektues, sigurisht që ka pasur momente kur rezervat janë ofruar, mirëpo ka qenë furnizimet me vazhdimësi dhe për momentin nuk kemi vërejtje”, tha ai.
Edhe sa i përket furnizimit me barna të listës esenciale, Sahiti thotë se qëndrojnë shumë mirë.
Spitali rajonal i Pejës ka dy respiratorë, ku njëri sipas Sahitit është dërguar në Prishtinë në Klinikën Infektive.
“Si spital i kemi dy respirat orë, një është dërguar në QKUK me kërkesën, një gjendet tek ne. Ne kemi edhe 60 kyçje me oksigjen për rastet që mund të trajtohen me oksigjen i kemi këtu”, tha ai.
Në vendin tonë deri më tani janë 145 raste me COVID-19, ndërsa tre persona kanë humbur jetën.