Një metër dru po shitet deri në 65 euro, qytetarët ankohen për çmimin dhe mashtrimet në matje
Në tregjet e Prishtinës, çmimi për një metër kub dru ka arritur nga 60 deri në 65 euro, për dallim që para disa ditëve ky çmim ishte rreth 50 euro. Tregtarët e drunjve, prapa kamerës u shprehën se interesimi i qytetarëve për të blerë drunj ka rënë dukshëm, krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkaq, qytetarët thonë se çmimi i drunjve është shumë i lartë, dhe se sipas tyre tregtarët po bëjnë mashtrime në matjen e tyre.
Qytetari nga Prishtina, Hamit Krasniqi thotë se gjithmonë ngrohen vetëm me dru, derisa shtoi se tregtarët që merren me shitje të drunjve bëjnë “dallavere” sa i përket sasisë.
“Kemi drunj mjaftueshëm, 70 hektarë mal i kemi, veç me dru me të tjerat jo. Shumë shtrenjtë (60 euro), edhe bëjnë hile, nuk ua japin tamam, po t’ia jepnin si duhet në rregull, por nuk ua japin, nuk e bën fiks metër. Edhe kur t’i ngarkon i lë më shkurt, nuk i matë fare, vetëm i gjuan, i shkarkon aty, shkojnë krejt me dallavere e haram”, theksoi ai.
Po ashtu, edhe qytetari, Feti Gashi tha se këtë vit ka blerë 15 metra dru me çmimin prej 55 euro për një metër kub, derisa shtoi se për shkak se nuk janë të kyçur në ngrohtore të qytetit, janë të detyruar të gjejnë alternativë për ngrohje.
“Me dru, i kemi blerë drunjt, i kam djemtë jashtë. Sa metra i keni blerë? 15 metra. Sa e keni blerë metrin e drunjve? 55 euro. A i keni blerë në Prishtinë? Po, në Prishtinë. A të janë dukur shtrenjtë? Po, kur nuk ke qare pa i blerë, nuk janë shtrenjtë. A po mendon që është më lirë të ngrohesh më drunj se me energji elektrike? Energji nuk ka për krejt. A nuk jeni kycur? Jo , nuk jemi, vetëm me drunj. A ju mjaftojnë 15 metra për këtë dimër? Po”,tha ai.
Ndërkaq, qytetari tjetër Vesel Veseli tregoi se tash e dy vjet po ngrohen nga “Termokos”, dhe se sipas tij kostoja është më e ulët, krahasuar me atë të druve. Ai vlerësoi të shtrenjtë çmimin e metrit te drurëve, derisa kalkuloi se si mund t’ia dalë një pensionist me 100 euro të bëj zgjidhje për çështjen e ngrohjes.
“Sivjet për fat jemi të kyçur në banesat tona me ngrohje qendrore, shpresoj që është kualitative. nuk e kam atë telashe a me ble drurë apo thëngjill. Deri këtë vit a jeni ngrohur me drunj? Deri para dy viteve e andej, jemi ngrohur me rrymë, se nuk kemi qenë të kyçur në banesat tona me ngrohje qendrore, e tash qe dy vjet e këtej jemi të kyçur, furnizohemi me nxemje nga ngrohtorja. 01:12 A është më lirë apo më shtrenjtë me ngrohje termike se me drurë? Më lirë me ngrohje qendrore, sepse atëherë e kishte privatisti na ngrohke, e tash ngrohtorja e ka një çmim standard. Si vjet ishte metra e drurëve 60 deri në 65 euro a po ju duket shtrenjtë? Po, si jo familjet që kanë buxhet të dobët familjar, me një pension apo ndihmë sociale prej 100 eurove si t’ia dalin, atë blejnë barna apo zahiret për dimër”, tha Veseli.
Ndërkaq, tregtarët e drunjve, të cilët nuk deshën të prononcohen para kamerës, treguan se drunjve i kanë vendosur çmimin varësisht prej cilësisë. Njëri prej tyre tha se drunjt më të mira janë 65 euro, ndërsa më të hollat 60 euro. Derisa një tregtar tjetër u shpreh se metrin e drurëve e shet nga 63 euro, por që sipas tij, interesimi për t’i blerë ato ka rënë dukshëm, krahasuar me vitin e kaluar.
Ndërkaq, përveç alternativës me drurë, qytetarët zgjedhin të ngrohen edhe nga ndërmarrja e qytetit “Termokos”, e cila ka njoftuar se do të rrisin rrjetin e shtrirjes, duke shtuar rreth nëntë mijë njësi banimi në këtë sezon. Gjithashtu, nga kjo ndërmarrje potencuan se deri më tani janë mbi 14 mijë familje të cilat kanë përfituar nga projekti për vendosjen e pajisjeve matëse në radiatorë.
Kurse, Ministria e Ekonomisë ka hapur thirrjen për subvencionimin e pajisjeve efiçiente për ngrohje për shtëpi dhe banesa. Përmes kësaj thirrjeje, qytetarët do të subvencionohen deri në 2 mijë euro. Afati do të jetë i hapur për aplikim deri më 22 nëntor të këtij viti. Derisa, potencohet se përmes kësaj thirrjeje po synohet që të kursehet energjia elektrike./KP