Për zemra një brushë, jo për këpucë,
në këtë kohë pa stinë do të na bënte mirë,
për zemra një brushë, jo për këpucë.
RRASA E KRYPËS
Mëngjes për mëngjes
deri në Rrasë të Krypës
i nxjerrin dhentë.
Kështu përditë,
hejbet plot krypë,
me krypën e lirë
plot pluhur
të rrugës Via Egnatia.
Me kokë mbi rrasën e krypës
dhentë rrinë mirë e rriten
pa marrë hyxhym
me shkue më larg për ushqim.
Kështu përditë
nëpër mjegullat
e rrugës Via Egnatia
vijnë arabaxhinjtë
e ia shesin ishullit lirë
krypën e detit për dhen.
BISEDË NË MJEGULL
Në këtë mjegull
nëpër plasat e gurëve të shpuar
thashë ca fjalë të moçme t’i qëmtoj
e me lirinë në burg një bisedë ta thur.
Thashë ta thur me dhimbjen e lulëkuqeve sot
një bisedë të përmallshme në këtë mjegull
me atdheun tim që ka mbetur vetëm, për shembull.