Një asambliste e Vetëvendosjes në Rahovec kalon në AAK

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi ka bërë me dije se asamblistja e deritashme e VV-së në këtë komunë, Shqipe Kryeziu ka aderuar në AAK. Bashkë me të nga Vetëvendosje ka aderuar edhe ekonomisti, Azbi Gashi.

Ai ka thënë se përvojat politike dhe profesionale të Kryeziut dhe Gashit do ta kenë hapësirën e merituar për t’i kontribuuar përmirësimit të mirëqenies në komunën tonë.

AAK, sipas tij, është parti e hapur për të gjithë që duan të punojnë mirë dhe mbarë.

Postimi i plotë i Latifit:

Jam mëse i lumtur t’ju njoftoj, se nga sot pjesë e AAK-së në Rahovec do të jenë edhe znj. Shqipe Kryeziu, magjistër e Fizikës dhe profesoreshë në SHML “Ukshin Hoti” në Krushë të Madhe dhe ekonomisti e profesori në SHMLP “Selajdin Mullaabazi” në Rahovec, z. Azbi Gashi, të cilët aktivitetin e tyre politik të deritanishëm e kanë bërë në LVV, si themelues të degës në Rahovec. Zonja Shqipe Kryeziu do të jetë edhe pjesë e grupit të asambleistëve të AAK-së në Kuvendin Komunal të Rahovecit.

Përvojat politike dhe profesionale të Kryeziut dhe Gashit do ta kenë hapësirën e merituar për t’i kontribuuar përmirësimit të mirëqenies në komunën tonë. AAK është parti e hapur për të gjithë që duan të punojnë mirë dhe mbarë. Interesi kolektiv prevalon mbi interesat individuale, prandaj ne po rritemi dhe gjithnjë e më shumë njerëz po i bashkohen konceptit tonë.

Dy anëtarëve të rinj, u dëshiroj shumë suksese dhe ua ofroj tërë përkrahjen time gjatë angazhimeve që do t’i kenë në të ardhmen.

SL