Nisin përgatitjet për festivalin folklorik “I këndojmë lirisë”

Në Klinë kanë nisur përgatitjet për mbajtjen e festivalit folklorik “I këndojmë lirisë”, që sivjet është jubilar, nga se bëhen 20 vjet që nga nisja e mbajtjes së këtij manifestimi gjithëkombëtar folklorik.

Festivali mbahet më 6, 7 dhe 8 qershor. Kohë më parë Këshilli organizativ ka zgjedhur edhe organet drejtuese të festivalit Drejtor është zgjedhur Alban Gashi , sekretar Enver Maloku dhe koordinatore e festivalit është zgjedhur zëvendëskryetarja e komunës, Marqe Selmanaj.

Ndërkaq, është zgjedhur edhe drejtoria artistike në përbërje, Halit Gashi, Daut Gashi dhe Fatmir Berisha. Sivjet festivali “I këndojmë lirisë” përkon edhe me 20 vjetorin e themelimit të tij, rrjedhimisht pjesëmarrja e ansambleve, grupeve artistike, valltarëve, instrumentistëve do të jetë më i madh se kurdoherë më parë.

Drejtoria artistike, që bën përzgjedhjen e pjesëmarrësve do të sjell vlerat e mirëfillta të folklorit burimor nga të gjitha trojet shqiptare. Festivali, siq dihet ka karakter garues, ndërsa çmimi kryesor është “Mujë Krasniqi”

E.Maloku