Në disa komuna të Kosovës janë krijuar komisione për të vlerësuar dëmet e shkaktuara nga vërshimet e ditëve të fundit.
Si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm, vërshimet kanë prekur më së shumti komunat: Skenderaj, Mitrovicë e Jugut dhe Istog, duke dëmtuar ekonomi familjare, biznese, kultura bujqësore dhe infrastrukturën rrugore.
Zyrtarë të këtyre komunave kanë thënë të premten se situata është më e qetë.
Alban Shala, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike në komunën e Skenderajt, ka thënë se, niveli i ujit në lumin Klina ka rënë dhe të gjitha rrugët janë të kalueshme.
“Gjendja është stabile, niveli i ujit ka filluar të bie, rrezik për momentin nuk ka. Megjithatë, dëmet materiale janë të mëdha”.
Edhe në Komunën e Mitrovicës se Jugut, situata është e qetë, ka thënë Bahtir Maxhuni, drejtor i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca në këtë komunë.
“Në lumin Lushta niveli ka rënë në sasinë e duhur, kurse në lumin Ibër niveli po bie në përmasa të vogla”, ka thënë Maxhuni.
Xhevat Demaj drejtor për Emergjenca, Mbrojtje dhe Shpëtim në Istog, ka thënë se situata është nën kontroll edhe në në këtë komunë.
Për vërshime është raportuar edhe në komunat në veri të Kosovës, sidomos në Zveçan dhe Zubin Potok.
Agjencia e Menaxhimit Emergjent, ka thënë përmes një postimi në Facebook se zyrtarët e saj janë duke bashkëpunuar me drejtoritë komunale për situatën në terren.
Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë shpesh vërshime në Kosovë.
Vlerësohet se dëmtimi i shtretërve të lumenjve, si pasojë e nxjerrjeve të paligjshme të zhavorrit, kontribuon shumë në përmbytjen e zonave. REL.