Prokuroria Themelore në Pejë ka bërë të ditur sot se ka ngritur aktakuzë kundër 11 personave prej të cilëve janë 10 zyrtarë komunal.
Ndaj këtyre 11 personave rëndojnë 23 vepra penale, 21 prej të cilave janë vepra për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dy prej tyre për konflikt të interesit.
“Rezultat i hetimit intensiv ka rezultuar me ngritje të aktakuzës kundër 11 personave. Prej tyre, 10 zyrtarë komunalë, katër drejtorë, dy udhëheqës të sektorëve, dy inspektorë të ndërtimit, 1 zyrtar gjeodet dhe një gjeodet i licencuar pranë Agjencionit Kadastral”.
“Mbi këta 11 të pandehur rëndojnë 23 vepra penale. Vepra këto të cilat janë në kapitullin e korrupsionit zyrtar. 21 vepra janë keqpërdorim i pozitës zyrtare ndërsa 2 vepra janë konflikt i interesit”, ka thënë Prokurorja e rastit.
Ajo ka sqaruar se aktakuza lidhet me lejet e lëshuara në kundërshtim, këmbim të pronës, konflikt të interesit dhe inspektimet e ndërtimeve.
“Aktakuza ka të bëjë me leje që janë lëshuar në kundërshtim me ligjin, këmbim të pronës, konflikt të interesit dhe kanë të bëjnë me të gjitha inspektimet e këtyre ndërtimeve që janë lëshuar lejet”, tha prokurorja.