Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti për Krime të Rënda, ka ngritur aktakuzë kundër dy zytarëve të kompanisë “KEDS”, G.G. dhe B.Th., për veprën penale “marrje ryshfeti”, si dhe kundër avokatit të tyre, M.K., për veprën penale “frikësimi gjatë procedurës penale”.
G.G. dhe B.Th. akuzohen se kanë marrë 200 euro rryshfet nga një person, në dhjetor të vitit 2019.
“Sipas aktakzës, të pandehurit G.G. dhe B.Th., me datë 2 dhjetor të vitit 2019, rreth orës 15:25, në Pejë, si persona zyrtarë, teknikë për kontrollin e humbjeve në kompaninë “KEDS”, dega në Pejë, pas marrëveshjes paraprake mes tyre, duke mos vepruar sipas detyrave zyrtare, me qëllim të përfitimit, të njëjtit në mënyrë të drejtpërdrejtë kanë kërkuar dhe pranuar shumën prej dyqind (200) euro nga i dëmtuari. Pas marrjes së të hollave, të pandehurit ndalohen dhe arrestohen nga Polcia e Kosovës”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Kurse, avokati i B.Th., me inicialet M.K., akuzohet që ka kanosur të dëmtuarin dhe i ka ofruar dhurata për ta nindur që ai të ndryshojë deklaratën.
“Kurse, i pandehuri M.K., me datë 3 dhjetor të vitit 2019, si avokat i të pandehurit B.Th., kishte kanosur dhe ofruar dhurata me qëllim që ta nxisë të dëmtuarin që i njëjti t’a ndryshojë deklaratën e dhënë në Policinë e Kosovës dhe të deklarohet rrejshëm në Prokurori dhe Gjykatë, kinse i pandehuri B.TH nuk ka të bëjë me veprën penale “Marrje ryshfeti””, njofton Prokuroria Themelore në Pejë.
Me këto veprime, ai akuzohet për veprën “frikësim gjatë procedures penale”.
Prokuroria e Pejës njofton se prokurori i çështjes me rastin e ngritjes se aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që të pandehurit të shpallën fajtor dhe të dënohen sipas ligjit për veprat penale të cilat ju vihen në barrë.
Po ashtu, në komunikatë thuhet se, prokurori i çështjes, krahas dënimit kryesor i ka propozuar Gjykatës që të pandehurve t’u shqiptohet dënimi plotësues.
Për dy të pandehurit, G.G dhe B.TH., prokurori i rastit ka kërkuar t’u ndalohet ushtrimi i funksioneve në administratën publike ose shërbim publik, kurse për M.K., ndalimin e ushtrimit të profesionit të avokatit.