Një 29-vjeçar në fshatin Orroberdë të Istogut i ka kërcënuar me ‘tërfurk’ familjarët e tij e më pas edhe zyrtarët policorë. Krejt kjo dyshohet se ndodhi për shkak se vëllai i tij kishte refuzuar t’ia japë atij veturën në shfrytëzim. Sinjali ka mësuar se si u kanosën ata dhe ju sjellë më poshtë detajet.
Burimet e Sinjalit brenda Prokurorisë kanë njoftuar se e gjithë ngatërresa ka filluar kur i dyshuari ia ka kërkuar veturën vëllait të tij dje pasdite, mirëpo ky i fundit nuk ka pranuar t’ia japë.
29-vjeçari i revoltuar nga refuzimi i vëllait, dyshohet se me një mjet të punës (tërfurk) ia ka shpërthyer atij gomat e veturës.
Pas këtij veprimi, vëllai e ka lajmëruar Policinë, të cilët e patën problemin pothuajse të njëjtë me të.
Sipas të njëjtave burime, posa kanë arritur në vendin e ngjarjes, Policia e ka vërejtur të dyshuarin në oborrin e shtëpisë duke e mbajtur tërfurkun në duar.
Siç mëson Sinjali, i dyshuari i është vërsulur zyrtarëve policorë me tërfurk dhe pasi i është thënë të ndalet, i njëjti ka ikur me vrap në drejtim të panjohur.
Me urdhër të prokurorit të shtetit, ndaj të dyshuarit është hapur rasti “Dhunë në familje”, “Dëmtim apo asgjësim i pasurisë” dhe “Kanosje ndaj policëve”.