Duke nisur nga sot qytetarët e Kosovës kanë të drejtë qarkullimi nga tri orë në ditë, për dallim nga ditët që lamë pas ku për disa javë radhazi qarkullonin vetëm 1 orë e gjysmë në gjithë 24 orëshin.
Ditë më parë, ministri i Shëndetësisë Arben Vitia në një konferencë për media bëri të ditur zbutjen e masave të ndërmarra nga Qeveria lidhur me situatën e krijuar nga pandemia COVID-19.
Nga sot fillon faza e parë e zbutjes së këtyre masave ku edhe nisin punën disa nga bizneset, siç janë ndërtimtaria, tregtia me pakicë e disa të tjerë që do të ndikojnë drejtpërdrejtë edhe në gjepin e qytetarëve dhe në mbushjen e arkës së shtetit, transmeton Indeksonline.
Kurse nga 18 maj pritet të fillojë faza e dytë e zbutjes së masave të ndërmarra për luftimin e koronavirusit, por të gjitha këto do të varen nga mënyra se si do të jetë gjendja gjatë këtyre ditëve.
Kosova vazhdon të përballet me virusin COVID-19, ku numri i të infektuarve është 851, 381 të shëruar dhe 25 viktima.