Nga sot, automjetet me targa të Kosovës RKS do të mund të lëvizin lirshëm në gjithë territorin e Serbisë. Qeveria e Serbisë ka marrë një vendim që të lejojë lëvizjen e lirë për të gjitha automjetet me targa RKS. Ky vendim hyn në fuqi për zbatim nga sot (1 janari 2024).
Drejtori i të ashtuquajturës Zyra për Kosovë në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ka theksuar se lejimi i të gjitha automjeteve nga Kosova për të marrë pjesë në komunikacion në rrugë bëhet për arsye praktike, me qëllim që të lehtësohet pozita e individëve dhe të mundësohet liria e tyre e lëvizjes.
Vendim, sipas tij, hyn në fuqi për zbatim nga 1 janari 2024. “Ky vendim në fakt ishte detyrim i yni nga marrëveshja e vitit 2011 për lirinë e lëvizjes e nënshkruar nga Borko Stefanoviq, e cila u referohet targave RKS dhe letërnjoftimeve të Kosovës, lejimin e patentëshoferëve të Kosovës”, ka thënë Petkoviq.
Bashkimi Evropian ka përshëndetur vendimin e Serbisë për njohjen zyrtare të targave të automjeteve të Republikës së Kosovës (RKS).
Sipas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano bëhet fjalë për një hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit, si dhe në detyrimet e mëhershme të dialogut lidhur me lirinë e lëvizjes.
“Kjo tregon se është e mundur të arrihet progres në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ky vendim gjithashtu përben një hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili në fund përfitojnë qytetarët e rajonit”, ka nënvizuar Stano në një përgjigje dërguar me shkrim.
Për zëdhënësin e BE-së, Peter Stano ky vendim hap rrugën drejt heqjes së plotë të regjimit të afisheve. Bashkimi Evropian, pohon Stano, tani pret që Kosova të veprojë në të njëjtën mënyrë.
Kurse kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria do të marrë vendim për t’i lejuar veturat me targa të Serbisë për qarkullim në Kosovë, vetëm pasi që Policia e Kosovës të sigurohet se autoritetet e Serbisë po e zbatojnë plotësisht dhe pa pengesa vendimin që targat RKS të qarkullojnë lirshëm në Serbi.
Ai një gjë të tillë e bëri të ditur në mbledhjen e 62-të dhe të fundit për këtë vit të ekzekutivit. Gjatë kësaj mbledhje kryeministri Kurti përmendi të arriturat e qeverisë, raportoin RTKlive.
Kurti tha se Kosova do të veprojë bazuar në parimin e reciprocitetit dhe sapo policia kufitare të sigurohet se Serbia po e zbaton plotësisht dhe pa pengesa vendimin që veturat me targat RKS qarkullojnë lirshëm në shtetin fqinj, do të lejojë qarkullimin e veturave me targa të Serbisë në Kosovë.