Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani- Sadriu ka vazhduar të pranojë telegrame urimi për zgjedhjen e saj në krye të shtetit.
Në telegramin e Princit të Kurorës Mbretërore të Norvegjisë, Haakon, ai ka uruar zonjën Osmani dhe popullin e Kosovës për prosperitet, thuhet në njoftim.
Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian Olivér Várhelyi, nëpërmjet një postimi në Twitter ka uruar Presidenten Osmani për detyrën dhe ka shfaqur shpresën që institucionet e sapoformuara ta qojnë përpara agjendën evropiane. Në këtë kontekst, ai e ka cilësuar kyçe çështjen e dialogut me Serbinë.
Telegram urimi në adresë të Presidentes Osmani ka dërguar edhe Emiri i Kuvajtit, Sheikh Nawaf Al-Ahmad Al-Jabar Al-Sabah. Ai ka shfaqur shpresën për thellimin e marrëdhënieve bilaterale ndërmjet të të dy popujve.
Edhe Princi saudit i kurorës Mohammed bin Salman bin Abdulaziz Al Saud ka uruar Presidenten Osmani, me dëshirën që Kosova të ketë sa më shumë progres.
Kurse Kryetari i Kuvendit të Madh Kombëtar të Turqisë, Mustafa Sentop, në telegramin e urimit ka shfaqur shpresën që marrëdhëniet e mira ndërmjet të të dy shteteve të vazhdojnë edhe nën udhëheqjen e zonjës Osmani.