Ditën e sotme do të nisë në Shqipëri vaksinimi i personave të parë anti-COVID. 11 janari i 2021 do të jetë një ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë në rrugën për t’i dhënë fund betejës disa mujore me COVID-19, kështu ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, duke shtuar se procesi do të nis në orën 15:00. Rama ka deklaruar se këto doza ia ka dhuruar Shqipërisë një vend mik, por që nuk është i autorizuar që të jap emër. Ndërkohë, ka deklaruar se do ta bëjë edhe vetë këtë vaksinë anti-COVID për të vërtetuar që është e sigurt.
Nën moton ‘Shqipëria buzëqesh”, vaksinimi do të realizohet në stadiumin kombëtar ‘Air Albania’ me qëllim shmangien e grumbullimeve dhe radhëve të gjata! Në të gjithë ambientin e stadiumit janë vendosur 60 postacione ku do të kryhet vaksina dhe puna do të vijojë për 8-10 orë në ditë. Në total është parashikuar vaksinimi i 60 qytetarëve në orë.
Bluzat e bardha, që janë në vijën e parë të përballjes me COVID do të jenë të parët që do të vaksinohen, për të vijuar më pas me mësuesit, policët dhe moshat madhore mbi 75-vjeç. Zyrtarisht Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza vaksina anti-COVID të Pfizer nga kompania BioNTech, teksa siç ka bërë të ditur më herët Rama, vijojnë bisedimet me Astrazeneca dhe Moderna. Një person do të marrë në total 2 doza.