Gjykata Themelore në Prishtinë ka caktuar nga një muaj paraburgim për të dy të dyshuarit për sulmin në Banjskë.
Dy të arrestuarit, pjesë e grupit terrorist që morën pjesë në sulmin e Banjskës janë larguar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, pas përfundimit të seancës ndaj tyre.
Në këtë seancë, është shqyrtuar kërkesa e Prokurorisë Speciale për caktimin e masës së paraburgimit ndaj këtyre të dyshuarve, ndërsa pritet të merret vendimi.
Ata janë sjell nën përcjelljen e forcave të shumta policore e duke u tërhequr zvarrë, raporton Ekonomia Online. Të pranishëm janë parë edhe avokatët e tyre që nuk kanë dashur të flasin për medie.
Mbrëmë Gjykata Themelore në Prishtinë, ka caktuar masën paraburgimit për të arrestuarin Vlladimir Toniq, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special ka mbajtur seancën dëgjimore në hapësirat e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), duke vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurit V.T, i dyshuar për vepra të rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës nga neni 126 i KPKS – së dhe kryerja e veprave terroriste nga neni129 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
Gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.T dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji.
Masa e paraburgimit është caktuar në harmoni me nenin 182 të KPPRK dhe nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe paragrafit 1.3 të KPPRK-së.
Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës, veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës dënohet me jo më pak se dhjetë vjet burgim ose me burgim të përjetshëm.
“Kryesi i veprave penale nga nenet 113-127 të këtij Kodi dënohet me jo më pak se dhjetë
(10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm, nëse kryerja e veprës: 1.1. rezulton në vdekjen e një apo më shumë personave; 1.2. rrezikon jetën e një apo më shumë personave; 1.3. vepra përcillet me dhunë të rëndë ose shkatërrim në shkallë të madhe; ose 1.4. vepra ka rrezikuar sigurinë ekonomike dhe ushtarake të Republikës së Kosovës”, thuhet në nenin 126 të Kodit Penal.
Burgim të përjetshëm parasheh edhe paragrafi 3 i nenit 129 të Kodit Penal.
Sipas këtij paragrafi, kushdo që kryen vepër terroriste e që rezulton me vdekjen e një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim së paku 15 vjet ose me burgim të përjetshëm.
“Kur vepra nga paragrafi 1. i këtij neni rezulton me vdekje të një apo më shumë personave, kryesi dënohet me burgim së paku pesëmbëdhjetë (15) vjet ose me burgim të përjetshëm”, thuhet në paragrafin 3 të nenit 129 të Kodit Penal.
Seanca kundër të pandehurve do të mbahet sot, duke filluar nga ora 10:00 në Gjykatën Themelore të Prishtinës./EO./