Policia e Kosovës ka njoftuar se nga nesër do të fillojë reduktimi edhe për 25 përqind i numrit të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës në dhe përreth objekteve komunale në veri, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Ky vendim është marrë pas një takimi mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të
situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore.
“Policia e Kosovës në vazhdën e realizmit të detyrave dhe autorizimeve të saja kushtetuese dhe ligjore në interes të sigurisë publike në vend, si dhe me qëllim të zbatimit të dakordimeve të arritura në Bratisllavë me 10 korrik 2023, në mes të Bashkimit Evropian dhe Republikës së Kosovës, saktësisht hapit dy të këtij dakordimi, me këtë rast është mbajtur takimi punues mes Policisë së Kosovës, EULEX dhe KFOR për vlerësim të situatës së sigurisë, në dhe përreth ndërtesave komunale të komunave veriore.
Sipas vlerësimit të përbashkët, nga Policia e Kosovës, EULEX dhe KFOR, situata e sigurisë në dhe rreth objekteve të komunave veriore vlerësohet se është e mirë. Në kuptim të këtij konstatimi të përbashkët, nga nesër fillon zvogëlimi i pjesëtarëve të Policisë së Kosovës për 25%, në dhe përreth objekteve komunale në veri.
Ekipet e Policisë së Kosovës bashkë me EULEX dhe KFOR, do të vijojnë koordinimin dhe do të ndërmarrin veprimet e nevojshme sipas vlerësimit të rregullt të situatës së sigurisë në dhe përreth objekteve komunale, në komunat veriore të Republikës se Kosovës”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Zvogëlimi i pranisë policore në veri është obligim që ka dalë nga një marrëveshje mes zëvendëskryeministrit të Kosovës, Besnik Bislimi, dhe të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, për shtensionimin e situatës në veri në fillim të korrikut në Bratisllavë.
Përveç zvogëlimit të pranisë policore, në marrëveshje është edhe organizimi i zgjedhjeve në katër komunat veriore, për të cilat Qeveria e Kosovës ka thënë se ka nisur punën.