Komuna e Malishevës ka bërë të ditur se nga java e ardhshme mësimi në shkollat e kësaj komune do të zhvillohet me orar të plotë, në përjashtim të Gjimnazit “Hamdi Berisha”, ku mësimi do të vazhdojë të mbahet sipas skenarit B,
“Drejtori i Drejtorisë për Arsim dhe Edukim, Blerim Thaçi, ka bërë të ditur se nga java e ardhshme, në të gjitha shkollat mësimi do të mbahet me orar të plotë, por ora mësimore do të zgjatë 30 minuta, ndërsa në Gjimnazin “Hamdi Berisha”, do të vazhdohet me skenarin B, pasi numri i nxënësve gjimnazist është shumë i madh”, thuhet në njoftimin e komunës.
Sa i përket situatës me COVID-19, u bë e ditur se vetëm një mësimdhënës është pozitiv dhe në këtë rast drejtoria e arsimit ka vepruar sipas rekomandimeve të institucioneve përgjegjëse dhe deri më tani nuk ka problem në zhvillimin e procesit mësimor në shkolla. /