Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj ka njoftuar se deri tani 33 laboratorë privatë i kanë plotësuar kriteret për licensim dhe nga java e ardhshme mund të fillojnë testimet për koronavirus, shkruan Gazeta Sinjali.
Në një konferencë për media, Zemaj ka bërë të ditur se deri tani për licencim kanë aplikuar 123 institucione private shëndetësore, ndërsa janë shqyrtuar vetëm 37 prej tyre.
“Pas hapjes së procesit të licensimit për institucionet private shëndetësore të shërbimit të testimtit për COVID-19, kanë aplikuar 123 institucione. Bordi ka shqyrtuar 37 aplikacione, ku 33 prej tyre i kanë plotësuar kushtet. Këto institucione mund të fillojnë me testime nga java e ardhshme”, ka thënë ministri para medieve.
Më tej, ai ka paralajmëruar se çdo institucion që bie ndesh me procedurat ligjore, do t’i merret licenca.
“Ne kemi angazhuar Inspektoratin Shëndetësor që edhe një herë ta bëjë inspektimin dhe në bashkëpunim me IKSHPK-në ta mbikëqyrin këtë proces. Çdo kush që bie ndesh me procedurat ligjore do t’i merret licenca. Në ditët në vijim do të punojmë në shqyrtimin edhe të aplikacioneve të tjera për t’i zgjeruar kapacitetet tona”, ka thënë ndër të tjera Zemaj./