Të gjitha institucionet arsimore parauniversitare nga e hëna do të kenë pushim njëjavor.
Ky vendim u mor sot në takimin e dytë që u zhvillua për Task-Forcën, ku ishin të pranishëm ministrja Arsimit dhe Shkencës Arbërie Nagavci, përfaqësues të DKA-ve, SBASHK-ut, Këshillit të Prindërve, IKSHPK-së dhe drejtorë të shkollave.
Kështu ka bërë të ditur për IndeksOnline, përfaqësuesi i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës Ymer Ymeri.
“ Me rekomandimin e përfaqësuesve të IKSHPK-së, u vendos që gjatë javës së ardhshme nxënësit të kenë pushim, ata kanë humbur 9 ditë mësimi ku dy i kanë zëvëndësuar, meqenëse pushimi pranveror sipas kalendarit ka qenë e paraparë në këtë javë, kurse për 7 ditët e humbura të mësimit pritet të vendoset se kur do të zëvendësohen, SBASHK-u ka propozuar që të mbahet mësimi edhe të shtunave”, tha ai.
Ymeri tha se nesër pritet të merret vendimi nga MASHT për zëvendësimin e orëve të humbura.
Ymeri tha se gjatë javës së ardhshme do të punohet në dezinfektimin e objekteve shkollore.
Ai shtoi se pas pushimit mësimi do të vazhdojë me prezencë fizike në shkolla dhe jo online./