Në natën e 28 dhjetorit 1925
Sergej Esenini me shpirt
e mati dritën, dashurinë dhe poezinë
dhe tha janë pak të triat bashkë. Pak.
Në dhomën e hotelit
bojë për kartë nuk i lanë,
prandaj në damarët e vet mori gjak
të shkruante poezinë “Lamtumirë…”
për dhjetorët që do të kenë
më shumë dritë.
Kryesore,
me gjak e shkroi poezinë,
sepse të tjerat kanë rëndësi pak:
Si i preu damarët?!
E vrau veten apo e vranë?!
Sepse, të vdesësh, tha,
s’është gjë e re në këtë botë
dhe nga toka poeti u shkëput
e në qiell ra yll.
UNË SHKRUAJ…
Unë shkruaj,
sepse njëra nga dashuritë e mia
është poezia.
Shkruaj,
sepse dua të shoh
ku fillojnë e ku mbarojnë
kufijtë e njerëzve
dhe kufijtë e tokës sime kaq t’vogël.
Shkruaj,
sepse dua t’i shtrydh urrejtjet tona
deri në këmishën e dashurisë,
e ta vesh vetëm atë këmishë
e t’i besoj vetvetes
se njësoj vishen e zhvishen
kudo në botë njerëzit.
Unë shkruaj,
sepse dua të më lini të shkruaj.
APOKRIF POETIK
Për ta këndojmë përditë
(kinse me zemër, kinse me shpirt)
e lutemi njëzet e katër orë keq
të mos zgjohen edhe një herë