Katër pjesëtarë të familjes mbretërore në Arabinë Saudite kanë qenë në Las Vegas fundjavën e kaluar për të ndjekur “live” duelin e madh të peshës së rëndë midis Tyson Furyt dhe Deontay Wilderit.
Sipas “Daily Mail”-it ata janë shprehur të gatshëm të paguajnë 400 milionë dollarë për të zhvilluar në shkretëtirë duelin e radhës së boksierit britanik.
Fury fitoi me “KO teknik” në raundin e shtatë ndaj Wilderit, duke u rikthyer kampion bote (kategoria WBC).
Anëtarët e familjes mbretërore ia kanë lënë në dorë Furyt zgjedhjen për rivalin e radhës, por natyrisht që ata preferojnë një sfidë të tretë me Wilderin ose një përballje britanikësh me Anthony Joshuan.
Princi Khaled, i pranishëm në këtë duel, ka bërë me dije se i preferuari i tij është Joshua, në një duel që do të unifikonte titujt kampionë bote në këtë divizion.
Arabët janë gati të paguajnë 400 milionë dollarë për këtë sfidë edhe pse nuk dihet ende përqindja që do të përfitojë Fury dhe rivali i tij.
Gjithsesi, bëhet fjalë për një shumë marramendëse, që do të mbushte plot xhepat e boksierit britanik.