Askush nuk ka të dhëna të sakta, por Administrata Tatimore e Kosovës pohon se nga 15 deri në 30 për qind e punëtorëve në vend janë pa kontrata pune. Sindikalistët flasin për përqindje shumë më të lartë, ndërsa vet punëtorët pa kontrata nuk pranojnë të flasin publikisht.
“Realisht ka matje të ndryshme por që nuk ka statistika të sakta mund të themi, sepse matjet e fundit janë bërë në vitin 2017, duke iu referuar të dhënave të vitit 2015”, thotë Ilir Murtezaj nga Administrata Tatimore e Kosovës.
Jusuf Azemi, kryetar i Sindikatës së Punonjësve të Sektorit Privat, thotë se mbi 60 për qind të punonjësve të këtij sektori janë pa kontrata pune.
“Gjendja e punëtorëve në sektorin privat të Kosovës është e rënduar, pasi që dihet se pandemia e ka bërë të veten por edhe pa pandemi punëtorët e sektorit privat kanë qenë në gjendje tepër të rëndë dhe nuk po shihet ndonjë sinjal se do të bëhet mirë diçka. Kur përmendim çështjen e punëtorëve pa kontrata pune, tash është bërë thuajse normale që të thuash se punëtorët janë pa kontrata pune edhe te pronarët e kompanive edhe te shteti është bërë krejt normale, ne me vite të tëra kemi treguar se tani ka kaluar shifrën mbi 60 për qind”, thotë ai.
Arton Qerkini nga Inspektorati i Punës në Kosovë, ankohet për mungesë të numrit të mjaftueshëm të inspektorëve.
“Ne i kemi aktivë diku 36 inspektorë që në raport me numrin e subjekteve të regjistruara në ministri të Tregtisë tregon që duhet të pesëfishohet numri i inspektorëve. Megjithatë me mundësitë që i kemi po mundohemi të bëjmë më të mirën të mundshme”, thotë ai.
Sipas zotit Qerkini, sektorët ku dukuria e punësimit të padeklaruar është më e përhapur janë gastronomia, ndërtimtaria, bujqësia dhe në përgjithësi prodhimtaria.
Zoti Azemi thotë se nuk është problem vetëm numri i vogël i inspektorëve.
“Absolutisht nuk është shkas numri i inspektorëve sepse kemi shumë raste kur në njëfarë forme me bekimin e inspektorëve bëhen këto keqpërdorime dhe kemi numër të vogël të inspektorëve që kryejnë punën ashtu si duhet”, thotë ai.
Profesoresha Ardiana Gashi ka zhvilluar një sërë studimesh për këtë çështje. Sipas studimit të financuar nga Bashkimi Evropian “Ndihmë Inspektoratit të Punës në Luftimin e Punës së Padeklaruar”, thotë ajo, në Kosovë punë pa kontrata kryejnë më shumë burrat, personat me shkallë më të ultë të shkollimit, ata me profesione që kërkojnë shkallë më të ultë të shkathtësive si dhe ata nëpr fshatra. Pasojat e kësaj dukurie në ekonominë e vendit janë të shumta, thotë ajo.
“Prania e punës së padeklaruar e dëmton edhe konkurrencën ndërmjet bizneseve. Kur bëhen hulumtime dhe pyeten njerëzit se cila është pengesa e të bërit biznes, del se operimi në treg me konkurrent që punojnë në të zezën është një pengesë. Tjetra është thjeshtë më pak të hyra për buxhetin e shtetit e më pak mundësi për të zhvilluar mirëqenien ekonomike dhe sociale”, thotë zonja Gashi.
Ajo thotë se vendi duhet të ndërmarrë masa për uljen e shkallës së punës së padeklaruar, jo vetëm përmes gjobave nga Inspektorati.
“Rekomandimi i parë është që të bëhet obligim ligjor që punëtori të regjistrohet para se të filloj punën. Aktualisht nëse shkon dhe e takon një punëtor të padeklaruar në një vend pune, punëdhënësi mund të thotë që ky ka filluar sot ose para dy ditësh dhe kjo e pengon punën e Administratës Tatimore dhe Inspektoratit”. Rekomandimi i dytë është që duhet të bëhet një regjistër i punëtorëve, në Kosovë nuk ekziston një regjistër i tillë, i vetmi institucion që ka të dhëna, edhe atë shumë të pakta, është Administrata Tatimore dhe Fondi Pensional”, thotë zonja Gashi.
E rëndësishme, sipas saj, është ndërgjegjësimi i qytetarëve për rëndësinë dhe përfitimet nga puna e deklaruar, që u dëshmua edhe gjatë pandemisë së COVID-19, kur shteti ofronte ndihmë për punonjësit e deklaruar.
Ilir Murtezaj nga Administrata Tatimore, thotë se përgjatë pandemisë është rritur dukshëm numri i punonjësve me kontrata.
“Nëse marrim periudha referuese ta zëmë janarin 2021 në raport me janarin 2019 rezulton që kemi 15.6 për qind rritje të të punësuarve të deklaruar. Ndërsa nëse e marrim me janarin e vitit 2020 kemi një rritje diku 5.7 për qind”, thotë ai.
Luftimi i kësaj dukurie, sipas zotit Murtezaj, kërkon bashkërendim ndërinstitucional, ndërsa u bën thirrje qytetarëve të raportojnë punën e padeklaruar kurdo që e hasin atë. Ndërkaq zoti Azemi nga Sindikata e Punonjësve të Sektorit Privat tërheq vërejtjen se nëse nuk përmirësohet situara numri i të rinjve e profesionistëve që mund të kërkojnë zgjidhje jashtë vendit do të jetë çdo herë e më i madh./voa/