Në Ministrinë e Punëve të Jashtme thonë se janë në kontakt të vazhdueshëm me familjen dhe autoritetet e BE’në për lirimin e tij, derisa nuk pranojnë të japin detaje rreth gjendjes së Mehmetajt.
Në orët e hershme të së premtes së 4 janarit, mërgimtari Nezir Mehmetaj bashkë me nënën e tij, Nazlien, kishin marrë rrugën drejt Nishit të Serbisë. Arsyeja e kësaj vizite ishin disa analiza që duhej t’i kryente nëna e tij, meqenëse ishte e sëmurë.
Por, udhëtimi në këtë shtet nuk iu shkoi ashtu siç e kishin planifikuar. Nezir Mehmetaj, i cili ka vite që jeton në Zvicër, u arrestua në pikëkalimin kufitar në Merdare me një urdhërarrest të lëshuar nga gjykata serbe.Arrestimi i tij u bë nën dyshimet për krime lufte dhe për këto dyshime gjykata serbe i ka caktuar atij një muaj paraburgim.Por, familjarët po i mohojnë këto akuza.
Sipas tyre, Neziri nuk ka qenë fare në Kosovë gjatë luftës. Gjatë kësaj periudhe thonë se ka qenë në Zvicër, ku edhe jetonte deri para arrestimit.
Për arrestimin e Mehmetajt kanë reaguar edhe institucionet e Republikës së Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës, të cilët kanë kërkuar lirimin e menjëhershëm të shtetasit kosovar.Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli ka thënë se zyra ndërlidhëse në Beograd do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit.
“Ne e dënojmë arrestimin e shtetasit kosovar Nezir Mehmetaj nga policia serbe dhe bëjmë thirrje për lirimin e menjëhershëm të tij. Zyra jonë e ndërlidhjes në Beograd është aktive dhe do të marrë të gjitha masat e duhura për të siguruar lirimin e Nezirit”, kishte shkruar Pacolli.
Këshilltari i Ministrit Pacolli, Jetlir Zyberaj ka thënë vetëm se zyra ndërlidhëse është në kontakt të vazhdueshëm me familjen dhe autoritetet e Bashkimit Evropian për lirimin e tij.“Zyra jonë është në kontakt të vazhdueshëm me familjen dhe autoritetet e BE’së. Kaq mund të flasë tani”, ka thënë Zyberaj.Ndërkohë, merret vesh nga burime brenda MPJ’së se gjendja e Mehmetajt atje është e mirë dhe se nuk është keqtrajtuar, vetëm se është i shqetësuar për arrestimin e tij.
Stano ka thënë se janë duke ndjekur nga afër rastin.“Ne jemi duke monitoruar per së afërmi procesin gjyqësor”, ka thënë ai.Tutje Stano ka thënë se institucionet e drejtësisë në Kosovës dhe Serbi duhet të bashkëpunojnë ndërmjet vete lidhur me hetimin dhe ndjekjen penale për veprat të cilat pretendohen.“Autoritetet gjyqësore në Serbi dhe Kosovë duhet të bashkëpunojnë ngushtë në hetimin dhe ndjekjen penale të veprave të pretenduara penale”, ka vazhduar tutje Stano.
Siç ka potencuar Stano, në bazë të parimeve të Dialogut për të cilat janë marrë vesh Kosova dhe Serbia, Nezir Mehmetaj, duhet të ndiqet nga gjykatat në Kosovë.“Në linjë me parimet e Dialogut, ndjekja e rasteve duhet të bëhet apriori përpara gjykatave në vendin e banimit, në Kosovë ose Serbi”, ka përfunduar Stano.Ndryshe, Mehmetaj nuk është mërgimtari i vetëm që është përballur me probleme gjatë kalimit nëpër Serbi.
Tre mërgimtarëve që kaluan festat e fundvitit në Kosovë, gjatë rrugës nëpër Serbi iu janë shpuar gomat e veturave.Mërgimtari Premtim Esati ka thënë se atyre qëllimisht u janë shpuar gomat e veturave me thikë.
“Në këpucët e tyre kanë thika dhe i shpojnë gomat. Menjëherë aty afër qëndron një Golf dysh që ka lidhje me vullkanizerin dhe aty për aty i ndërrojnë gomat – një gomë e përdorur kushton 70 euro. Këtu janë të parkuara tre makina të cilat kanë të njëjtin problem dhe që po presim ndërrimin e gomave”, ka shkruar mërgimtari në grupin “Merakli t’kerreve”.Pas këtyre incidenteve, Ministria e Punëve të Jashtme ka kërkuar që të shmanget sa më shumë qarkullimi përmes këtij vendi, meqenëse siç thonë Serbia nuk është territor që ofron siguri.“Ministria e Punëve të Jashtme vlerëson se Serbia nuk është më një territor, i cili ofron as siguri minimale për integritetin e tyre fizik dhe juridik dhe as për familjarët e tyre. Për rrjedhojë, sugjerohet evitimi i përkohshëm i qarkullimit përmes këtij vendi”, thuhet në komunikatë. /KlinaInfo