Nezir Mehmetaj, i cili ka një vit e gjysmë që po mbahet i ndaluar në burgun e Serbisë, sot ka dalë para Gjykatës së Lartë të Beogradit atje.
Ai i ka mohuar të gjitha akuzat që rëndojnë ndaj tij, si dhe ka treguar se çfarë ka bërë gjatë luftës.
Erdha në Kosovë për herë të parë në shtator 1999 përmes Shqipërisë. E bleva një veturë në Durrës, e mora nënën, motrat dhe vëllain tim dhe shkova me ta në fshatin Rudice”, tha ai në gjykatë, duke shtuar se familja e tij ishin refugjatë në Shqipëri atë kohë.
Me të mbërritur në Kosovë, Mehmetaj shtoi se nisi ta kërkonte babanë e tij i cili ishte arrestuar më 1998, i cili do të gjendej në një burg të Serbisë.
“Zbulova se babai im ishte gjallë në mes të tetorit kur përfaqësuesit e Kryqit të Kuq erdhën në shtëpinë tonë. Në fund të nëntorit u ktheva në Zvicër te gruaja dhe familja ime”, shtoi Mehmetaj.
Sipas pretendimeve të shtetit serb, Mehmetaj akuzohet për përfshirje në vrasjen e shtatë personave dhe djegien dhe plaçkitjen e shtëpive në Rudicë si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Ndër tjerash, Serbia pretendon se Neziraj kishte marrë pjesë në vrasjen e pesë anëtarëve të një familjeje serbe në qershor të vitit 1999.
Ai u arrestua në janar të vitit 2020 nga autoritetet serbe në vendkalimin kufitar midis Serbisë dhe Kosovës në Merdare. Që atëherë, ai po qëndron në paraburgim. Institucionet e Kosovës në vazhdimësi kanë kërkuar lirimin e Nezir Mehmetajt.