Pas vetëm dy vitesh në Parc des Princes, Neymar Junior kërkoi të rikthehet në Camp Nou.
Në vitin 2019, Neymar zbuloi në dokumentarin e tij se tentoi në të gjitha mënyrat që ta veshë edhe njëherë fanellën e Barcelonës.
Por, Paris Saint Germain as nuk donte të dëgjonte, ani pse ai he babai i tij u munduan që me të mirë, të bindin drejtuesit e klubit që ta lënë të kthehet atje ku pati vitet më të arta në karrierë.
“Kur mora vendimin për t’u larguar nga PSG, nuk ishte për shkak të tifozëve apo klubit. Ishte sepse e kuptova se ndihesha më mirë diku tjetër. Nuk kam pasur kurrë asgjë kundër tifozëve të PSG-së, as kundër vetë klubit, përkundrazi, unë jam shumë mirënjohës”, tha Neymar.
“Edhe pse nuk doja të vazhdoja, duhej të stërvitesha dhe të përgatitesha, sepse nëse luaj keq, të gjithë do të më fajësonin mua: nëse humbasim jam përgjegjësi i parë, e di barrën dhe përgjegjësinë që kam”.
Lidhur me atë foli edhe babai i tij, duke zbuluar:
“Ai donte të largohej nga PSG për t’u kthyer te Barca. Unë nuk doja që ai të largohej nga PSG, por për kë punoj? Ne u përpoqëm të largoheshim nga PSG në mënyrë miqësore, por nuk funksionoi”.