Presidenti Hashim Thaçi dhe kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti do të takohen nesër në mesditë. Në letrën e tij të tretë presidenti ka thënë se me qëllim të funksionalizimit sa më të shpejtë të institucioneve të Republikës së Kosovës, do t’i ndërmarrë të gjithë hapat e përcaktuar në Kushtetutë.
“E mirëpres paktin që pas ftesës së tretë që zotëri Kurti i është përgjigjur ftesës për datën 6 janar në orën 15.00. Do ta pres në zyrën time, nuk mund të sillemi as me hatër. Mirë se vjen e mirëpres”, ka thënë Thaçi.
Thaçi ka theksuar se pret që në javët e para të janarit të arrihet një marrëveshje në mes partisë fituese dhe partnerit qeverisës, duke vënë kështu në vend vullnetin e qytetarëve.
Pretendenti për udhëheqjen e ekzekutivit të vendit, Albin Kurti ka thënë se partia e Isa Mustafës e përcakton se kur do të formohet qeveria e re, e jo presidenti i Kosovës.
Kreu i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se do të ndodhë takimi konsultativ me Hashim Thaçin, mirëpo siç tha ai ky i fundit nuk mund t’ia caktojë datën për formimin e qeverisë.
“Mua vetëm LDK më përcakton datën e formimit të qeverisë”., ka thënë ai.
Po ashtu të hënën LDK do të mbajë dy mbledhje të rëndësishme, atë të kryesisë dhe të grupit parlamentar, e cila thuhet se do të jetë edhe lëvizja e fundit e LDK-së për të qartësuar qëndrimin e saj, karshi koalicionit me Vetëvendosjen. /