Nesër në Prishtinë do të mbahet takimi i radhës mes dy qeverive, asaj të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.
Policia e Kosovës ka njoftuar se do të përkujdeset për ofrimin e sigurisë dhe mbajtjen e rendit e qetësisë publike, gjatë kohës së zhvillimit të mbledhjes dhe gjatë lëvizjes së kryeministrit dhe ministrave të Qeverise së Shqipërisë.
“Në kohën e ardhjes së përfaqësuesve shtetërorë nga Shqipëria, për të mundësuar qarkullim të lirë të eskortës zyrtare nën përcjellje dhe sigurim, Policia e Kosovës, sot në orët e pasdites (19.06.2022) dhe nesër (20.06.2022) sipas itinerarit të lëvizjes së personaliteteve/delegacioneve do të bëjë ndërprerje të përkohshme në intervale të shkurta kohore të qarkullimit të trafikut në disa segmente rrugore ku pritet të kalojnë delegacionet” thuhet në njoftimin e policisë.
Për të mundësuar qarkullimin dhe riorientimin e trafikut në rrugë alternative në lokacionet ku pritet të kalojë eskorta do të angazhohen zyrtarë policorë të njësiteve relevante.
“Andaj Policia e Kosovës kërkon mirëkuptim të plotë nga ana e qytetarëve dhe pjesëmarrësve në trafik” thuhet tutje në njoftim.