Nga nesër (28 qershor) pritet që të rinisin fluturimet në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.
Zëdhënësi i këtij aeroporti, Bujar Gashi ka treguar se në çfarë masa të shtuara sigurie pritet të rikthehen të gjitha linjat e rregullta.
“Udhëtarët duhet të mbajnë distancë, derisa në gjithë aeroportin janë vendosur tabela që tregojnë se si duhet të sillen udhëtarët. Nga data 28 qershor udhëtarët duhet të sillen më ndryshe nga ajo që janë mësuar deri tani – tash duhet të jenë të paktën tri orë më herët para fluturimit në aeroport dhe mundësisht mos të vinë me shumë familjarë, ashtu siç e kemi traditën për t’i përcjellë. Në hyrje të aeroportit secili udhëtar duhet ta paraqesë biletën që e konfirmon se e ka fluturimin po atë ditë. Në hyrje të aeroportit përveç ekipit mjekësor do të jetë edhe sigurimi”, ka thënë Gashi për Klan Kosova.
Gashi ka sqaruar edhe një herë se udhëtarët që hyjnë në Kosovë nuk e kanë obligative ta kenë një test negativ të Covid-19, por është e preferueshme.