Dyert e kazermave të Forcës së Sigurisë së Kosovës nesër do të jenë të hapura për qytetarët e vendit.
E kjo për nder të Ditës së Forcës.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës me rastin e kësaj dite të njohur si Dita e Forcës nesër duke filluar nga ora 10:00 deri në ora 13:00 organizojnë “Ditën e Hapur”.
Manifestimi qendror për këtë ditë festive do të mbahet në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë, mirëpo përpos Prishtinës kazermat e FSK-së do të jenë të hapura edhe në Mitrovicë, Istog, Gjilan, Prizren, Ferizaj dhe Pomozatin.
Gjatë kësaj kohe sa do të lejohet futja e qytetarëve brenda rrethojave të kazermave, vizitorët do të kenë rastin që të shohin nga afër pajisjet e armatimet e Forcës së Kosovës.
Po ashtu, para qytetarëve do të ketë edhe demonstrime si dhe aktivitete të ndryshme që dëshmojnë kapacitetet e FSK-së.
Në kazermën “Adem Jashari” në Prishtinë do të marrin pjesë edhe udhëheqësit më të lartë shtetërorë, si dhe përfaqësuesit ushtarakë e diplomatikë të vendeve partnere me mision në Kosovë.
Siç është njoftuar nga Ministria, deklarimi për media i personaliteteve të larta shtetërore do të bëhet nga ora 11:50-12:10.
Po ashtu, nesër më 27 nëntor, duke filluar nga ora 19:00 do të mbahet edhe koncerti i bendit frymor të FSK-së dhe Filarmonisë së Kosovës.
Ky koncert pritet të mbahet në Sallën e Kuqe në Pallatin e Rinisë.