Sindikata e Policisë së Kosovës i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që t`i realizojnë të drejtat për zyrtarët policorë të cilët kanë punuar dhe punojnë në kohë pandemie për parandalimin e COVID-19,
Kjo sindikatë përmes një njoftimi për media ka thënë se nëse pagesat e tyre nuk kryhen në këtë muaj, do të shikojnë mundësinë e marrjes së masave më radikale.
Njoftimi i plotë i tyre:
Sindikata e Policisë së Kosovës në mbledhjen e mbajtur me datë 22.12.2020 në Prishtinë, ka vlerësuar punën e Zyrtarëve Policor të cilët ishin gjatë tërë vitit të angazhuar të parët në betejën kundër pandemisë COVID-19, edhe përkundër angazhimeve tjera të shumta që kanë sipas ligjit.
Mirëpo në asnjë kohë dhe në asnjë formë nuk është ndal së realizuari objektivat e veta, edhe pas shumë sulmeve kohëve të fundit ndaj pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, gjithashtu ka realizuar edhe detyrat e saja të dala nga masat, gjegjësisht vendimet e Qeverisë së Kosovës lidhur me parandalimin e COVID-19 në implementim të ligjit anti-COVID.
Qeveria e Republikës së Kosovës është në njohuri se zyrtarët policor ishin të infektuar me COVID-19, ku përveç vuajtjes nga sëmundja kishin edhe shpenzime të jashtëzakonshme. Policia e Kosovës deri më tani ka humbur 12 zyrtarët policorë nga COVID-19 dhe mbi 1.400 të infektuar, edhe përkundër kësaj ata ishin në ballë të luftës në parandalimin e kësaj sëmundje që është dhe vazhdon të jetë breng për tëre botën.
Angazhimi për parandalim të COVID-19 vazhdon edhe më tutje dhe sa vije e shtohen detyrat dhe punët e çdo zyrtari policor, ndërsa realizimi i të drejtës për zyrtarin policor as nuk ishte prioritet i Qeverisë së Republikës së Kosovës, dhe siç po duket vazhdon të mos jetë.
Dhe mu për këtë ne si Sindikatë e Policisë së Kosovës, në mbledhjen e mbajtur me datën 22.12.2020, kërkon me ngulm realizimin e të drejtave themelore të zyrtarëve të Policisë së Kosovë si dhe stafit civil në Policinë e Kosovës, të parapara me ligjet e vendit dhe të përshkruara në vendimet dhe zotimet e Qeverisë të premtuara në takimet e fundit .
Sindikata e Policisë së Kosovës i rikujton Qeverisë së vendit se pagesa e pakos emergjente, pagesa e ushqimit e bazuara në ligj dhe pagesa e orëve të punës varësisht kohës në punë përfshirë vikendeve dhe në festa, si dhe pagesa ndërrimin të natës në mënyrë të dinjitetshme të jenë prioritet i ekzekutivit të vendit për këtë vit, për të gjithë zyrtarët policorë dhe stafit civil e jo të jenë kërkesa në pritje në realizim pasi që në asnjë mënyrë nuk do lejojmë të shtyhen këto kërkesa si gjithnjë.
Mos pagesa e tyre do shtyjnë Sindikatën e Policisë së Kosovës që edhe në ketë fund vit të shikoj mundësin e marrjes së masave më radikale në mënyrë që të realizoj të drejtat e tyre .
Andaj presim dhe jemi të bindur që Kryeministri i vendit në detyrë dhe Ministri MPB-së në detyrë t’i marrin prioritet këto kërkesa të pjesëtarëve të PK-së të cilat ju takojnë me të drejt të plotë sipas ligjeve aktuale dhe të realizojnë.