Dukuria e nepotizmit si në pushtetin qendror edhe në atë lokal me raste edhe ka eskaluar, duke u mbushur ndërmarrjet, shkollat e institucionet tjera me njerëz të partive të ndryshme. Punësimet përmes lidhjeve familjare apo partiake po vazhdojnë të jenë një shqetësim goxha i madh në Kosovë. Kështu po dyshohet se ka ndodhur së fundmi edhe në Komunën e Prizrenit,
Elma Bytyqi, reja (nusja e djalit) të kryetarit të Prizrenit, Shaqir Totaj, e cila është edhe vajza e asamblistes së PDK-së, Fahrije Bytyqit, është përzgjedhur si e para në listën përfundimtare të konkursit për edukatore në shkollën fillore të mesme të ulët “Mati Logoreci” në Prizren.
Në njoftimin e publikuar dje nga Drejtoria e Arsimit në Komunë e Prizrenit thuhet se Elma Bytyqi ka arritur më së shumti pikë në krahasim me kandidatët e tjerë që kanë aplikuar për këtë vend pune, duke grumbulluar gjithsej 73.
Pas publikimit të rezultateve, në adresë të redaksisë kanë ardhur sinjalizime, ku janë ngritur akuza për dyshimet për kurdisje të konkursit, për shkak të lidhjes familjare të ngushtë që ka Bytyqi me kryetarin e komunës.
Reagime të shumta ka pasur edhe nga opozita në Prizren, por edhe të afërt të kandidatëve të tjerë, që nuk kanë arritur të kapin vendin e parë në konkursin për edukatore.
Besnik Krasniqi nga AAK në Prizren e ka akuzuar Totajn për nepozitëm, duke thënë se pas djalit, e ka punësuar edhe nusen.
Prizreni vend i mundësive! Ska rëndësi konkurrenca, intervista, testi apo dituria. Mjafton që vjehrri yt me qenë Kryetar komune!
Bravo Shaq, një plus një. Nuk ka kuptim me punësu vetëm djalin, nusën me e lon pa punë. Po më pëlqen që nuk po bën ndarje! Punë të mbarë çiftit të ri.
Nepotizëm Totaj!– ka shkruar ai.
FOTO: Elma Bytyqi me nënën e saj, asamblisten e PDK-së, Fahrije Bytyqi