Aftësitë e jashtëzakonshme të shumë fëmijëve në Kosovë, kanë bërë që disa prej tyre të jenë pjesë edhe të shumë garave ndërkombëtare.
Në mesin e shumë fëmijëve të cilët qysh në moshë të vogël arrijnë të kenë aftësi të jashtëzakonshme në fusha të ndryshme, është edhe nëntë vjeçari nga Klina, Gjonson Berisha i lindur më 24 janar 2011.
Gjonsoni i cili aktualisht vijon mësimet në klasën e katër, qysh në moshën 3 vjeç prindërit e tij kishin vërejtur aftësitë e Gjonsonit që i ka në përdorim të teknologjisë, më saktësisht në fushën e programimit.
Babai i tij, Leonard Berisha në një prononcim për Telegrafin ka treguar më shumë rreth aftësisë që zoton djali i tij Gjonsoni.
“Kur ka qenë tre vjeç ka ditë me punu me telefon, i ka ditë të gjitha funksionet e telefonit. Ia ka marrë bashkëshortes telefonin ja ka hek kodin që e ka pas edhe ja ka qit kodin e vet. Kur e kemi vet çka ke ba ka thanë unë e di”, ka rrëfyer babi i Gjonsonit.
Ai më tej tregon se djali i tij ka arritur të mësoj gjuhën angleze përmes telefonit dhe se tani e flet rrjedhshëm.
“Anglishten e ka mësuar përmes telefonit pa shku në shkollë hala. Tash është në klasën e 4, asnjëherë nuk ka qenë në kurs të anglishtes dhe aq mirë e dinë sa profesorët shpesh thonë që nuk shtyhemi me të sepse e frikësohemi se del më i zoti se ne”, është shprehur Leondardi.
Ndryshe Gjonsoni nëntë vjeçar posedon llogari personale në Twitter, e po ashtu ka edhe një web faqe “Easy CSS 2.0” të cilën e mirëmban vet.
“Unë jam një fëmijë 9 vjeç që di të kodoj të gjitha projektet e mia janë krijuar nga unë dhe e vetmja gjë që përdor për të punuar është laptopi im me Windows 10 hp”, shkruan Gjonson në webfaqen që e mirëmban.
Ai gjithashtu tregon se projekti i tij i parë si programmer që ka realizuar ka qenë projekti i quajtur deptv.netlify.app.