Manchester City ka bërë që Manchester United ta kujtojë për një kohë të gjatë se çfarë i ka ndodhur në javën e nëntë të edicionin 2022/23 në Ligën Premier.
Kampioni në fuqi ka fituar 6-3 ndaj rivalit lokal, duke dëshmuar se edhe në këtë sezon janë të pandalshëm dhe po shkojnë drejt titullit të tretë radhazi.
Goli i parë i takimit erdhi në minutën e tetë, kur Bernardo Silva asistoi për Phil Foden.
Ishte minuta e 34-të e takimit, kur Kevin de Bruyne harkoi nga këndi, për të gjetur kokën e Erling Haaland që shënoi për 2-0.
Norvegjezi e shënoi edhe të dytin personal pas vetëm katër minutash, me mesfushorin belg që ishte sërish asistuesi.
Derisa po përfundonte pjesa e parë, Foden (44’) shënoi po ashtu të dytin personal dhe të katërtin për skuadrën e tij, me Haalandin që ishte asistues.
Pjesa e dytë nisi më mirë për Djajtë e Kuq, që ngushtuan epërsinë e Cityt në 4-1 me një super gol të Antonys.
Mirëpo, Haaland ia doli që të kompletonte het-trikun e tij në minutën e 64-të, me Sergio Gomez që asistoi.
Het-trik realizoi edhe Foden (73’), duke shtuar edhe më shumë turpërimin ndaj Unitedit, ndërsa norvegjezi përveç tri golave, kompletoi edhe asistimin e dytë.
Mysafirët nuk u demotivuan edhe shumë, pasi shënuan për 6-2 me anë të Anthony Martial, që realizoi në minutën e 84-të.
Sulmuesi francez shënoi edhe të dytin personal, pasi në minutën e 90-të shënoi nga pika e bardhë për rezultatin 6-3.
Pas javës së nëntë, Manchester City ka 20 pikë, një më pak se lideri Arsenali, ndërsa Manchester United është në të gjashtin me 12 sosh.
Në xhiron e dhjetë, Citizens takohen me Southamptonin, gjersa United ka punë me Evertonin. /Telegrafi/