Kryetari i Komunës, Prof. Dr. Zenun Elezaj, dhe ministri i Zhvillimit Rajonal, z. Enis Kervan, kanë nënshkruar një memorandum bashkëpunimi për realizimin e projektit “Ndërtimi i ujësjellësit në fshatin Gllarevë”, projekt i cili do të ketë një kosto buxhetore prej 110 mijë euro, ku komuna do të participojë me 40 mijë euro dhe MZHR me 70 mijë.
Më këtë rast, kryetari Elezaj ka theksuar se zgjidhja e problemit të ujit të pijshëm për qytetin e Klinës dhe për të gjitha fshatrat, që nga fillimi i mandatit ka qenë dhe mbetet synimi kryesor i tij dhe tani me mbështetjen edhe të institucioneve tjera dhe investimet që po realizohen jemi afër të arrijmë deri te një zgjidhje afatgjatë.
Kryetari Elezaj ka falënderuar ministrin Kervan për mbështetjen financiare në realizimin e këtij projekti vital për banorët e fshatit Gllarevë dhe po ashtu e ka informuar ministrin për nevojat dhe kërkesat që ka qyteti i Klinës në sfera të ndryshme.
Ndërsa ministri Kervan theksoi se do të vazhdojnë bashkëpunimin me Komunën e Klinës edhe në projekte tjera në dobi të qytetarëve dhe përmbushjen e kërkesave të tyre.
Me këtë projekt do të bëhet shtrirja e rrjetit të ujësjellësit në disa lagje të fshatit e po ashtu edhe do të investohet në rritjen e kapacitetit të furnizimit me ujë.