Sot bëhen 26 vjet nga zhvillimi i betejës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Gllogjan me forcat serbe, që ndryshe njihet “Epopeja e Dukagjinit”.
Më 24 mars 1998 në Gllogjan është zhvilluar beteja frontale nga forcat e UÇK-së dhe forcave të armikut, të cilat e kishin rrethuar Gllogjanin, ndërsa synim kishin shtëpinë e familjes Haradinaj, ku hasën në rezistencë të fuqishme.
Nëna e Ramush e Daut Haradinajt, Ruka ka thënë se ajo datë ishte shumë e vështirë për familjen e saj, por që sot e festojnë sikurse të ishte një dasmë.
“Kemi qenë në oborr, erdhi Ramushi derisa Dauti ishte në shitore. Dauti ishte përballë me policinë serbe te cilin e kishin gjuajtur me armë nga rruga. Dauti ka kërcyer në një kanal dhe të gjithë kemi menduar se ai është vrarë”.
“Çika e cila ka qenë në odën e burrave thotë se Dautit ia ka parë shpinën derisa ai ka qenë i përmbysur. Ajo na tha se Dauti është vrarë dhe dolën të gjithë burrat. Ne kemi qenë të përgatitur pasi nëpër gazeta thuhej se po kërkohej Shkëlzeni dhe vëllau im. Aty filloi lufta”, ka thënë ajo.
Ruka rrëfen më tej se janë mbledhur gra e fëmijë dhe janë larguar nga shtëpia në mesin e krismave.
“Hilmiu më ka kapur për dore dhe më ka treguar rrugën nga duhet të shkojmë. Serbët gjuaj neve, këta gjuaj në serbët. Degët e lisave na binim mbi kokë pasi copëtoheshin nga plumbat”, tregon tutje ajo.
Ajo tregon se si mori vendim që ta largoj familjen që të mos përsëritet “Prekazi”.
“Ne ishim të përgatitur që nëse ndodh ajo [lufta] të largohet familja e të mos na ndodh sikurse në Prekaz. Ramushi pas betejës më tha se ua kam lehtësuar luftën që është larguar familja nga shtëpia”.
Ajo rrëfen edhe një moment kur gjatë largimit për në Skivjan, fshat afër Gllogjanit, ka parë helikopterin e serbëve.
“Mbi koka na kaloi helikopteri dhe pas pak kohëve doli një tym i zi. Thashë pse me ikë tash kur e kam lënë një shtëpi me djem. Por prap më mirë të shpëtojë ndonjë fëmijë jo si të Jasharët sikur ishin vrarë të gjithë. Për ne ishte fat që dolëm, por djemtë kanë qëndruar nën plumba deri në orën 18:00”, rrëfen ajo për Demos.
Ruka tregon se për tre muaj nuk kanë pasur kontakte me Ramushin, Dautin e të tjerët.