Policia u ftua në Klinikën e Neonatologjisë në qendrën spitalore të vendit.
Aty lindja e një foshnjeje po përcillej me refuzimin e saj nga nëna, njofton Klan Kosova.
Është një 27 vjeçare, nga Tetova me vendbanim në Ferizaj, që të hënën e solli në jetë një djalë, por nxiti dyshime kur i dha arsyet pse po e braktisë atë.
Para punëtores sociale të klinikës kishte thënë se këtë po e bënë për shkaqe ekonomike, dhe se fëmijën do e rrisë babai biologjik.
Veçse njeriu që ajo e prezantoi si të tillë, është një burrë nga Mitrovica rreth moshës 60 vjeçare, për të cilin Klan Kosova mëson se është i martuar me një grua tjetër, me të cilën nuk ka fëmijë.
Nëna e re G.E. më pas kishte pranuar se me çiftin kishte marrëveshje paraprake që t’ua falë foshnjën, gjë që ngriti dyshimet se mund të ketë marrë para në këmbim.