Në zgjedhjet e 6 tetorit votohet vetëm me dokumente të Kosovës
Nga njeshim
13 Shtator, 2019
Shperndaje
ShareTweetPin
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa ka hedhur poshtë kërkesën e parashtruar nga Lista Serbe, me të cilën kundërshtohej udhëzimi i lëshuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, sipas të cilit, votim i vlefshëm në zgjedhjet e ardhshme të 6 tetorit, konsiderohet vetëm ai që realizohet përmes dokumenteve identifikuese të lëshuara nga institucionet e Republikës së Kosovës.
Vendimi është marrë në mbledhjen e Panelit Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa.
Kryesuesi i Sekretariatit në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), Mul Desku ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se apeli i Listës Serbe është refuzuar.
“PZAP ka vendosur që ta refuzoj apelin e Listës Serbe si të pabazuar, pasi që ka vlerësuar se udhëzimi i KQZ-së është i drejtë dhe i ligjshëm”, ka thënë Desku.
Në anën tjetër, përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë në Kosovë, sidomos ata të Listës Serbe, e kanë kundërshtuar këtë udhëzim, pasi që në zgjedhjet e kaluara është dëshmuar që një numër i konsiderueshëm i serbëve të Kosovës, sidomos ata që jetojnë në katër komunat veriore, posedojnë dokumente identifikuese, letërnjoftime, të Serbisë.
Lista Serbe, subjekt ky politik që në zgjedhjet e kaluara parlamentare dhe lokale ka fituar bindshëm në raport me partitë rivale nga komuniteti serb, e konsideron udhëzimin e KQZ-së si të paligjshëm.
Nënkryetari i Listës Serbe, Igor Simiq, ka thënë për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”, se “udhëzimi i KQZ-së është i paligjshëm” dhe se, sipas tij, ai përbën edhe shkelje të të drejtave të njeriut.