Në vend të përkujtimit: Imzot Mark Sopi ishte dhe mbetet një erudit i pavdekshëm i krenarisë së ditëve tona

Shkruan: Lekë Mrijaj

 

Sot, me 11 janar apo pesëmbëdhjetë vjet të kalimit në amshim, kujtojmë eruditin e pavdekshëm të krenarisë së ditëve tona Prelatin Shqiptar të Dioçezës së Kosovës, të amshueshmin, imzot Mark Sopin, i cili ishte një Bari i dëshmuar gjatë tërë kohës së veprimtarisë së tij, njëherë si prift (e sekretar i ipeshkvit ndihmës të Shkup-Prizrenit imzot Nikë Prelës pikërisht duke sherbyer) në Ferizaj, Zllakuqan (1974-1991) dhe pas rënies së diktaturës komuniste në Shqipëri, Milot e Durrës (1991-1995), e më vonë pas shugurimit nga Papa Gjon Pali II-të, për dhjetë vite radhazi deri në ikjen e tij në amshim shërbeu si Bari Shpirtëror – Prelat në Dioçezën e Kosovës.

Ai, si një Bari shpirtëror, kishte një mishërim të një filozofi, ambasadori, dijetari të rrallë pikërisht edhe të një intelektuali të guximshëm që i shërbeu misionit të tij duke ndjekur me besnikëri e devotshmëri udhën e Jezusit e të shumë klerikëve të Kishës Katolike Shqiptare me qëllim që të reflektoj shtyllat e Lajmit të Mirë dhe të ndriçojë dritë në rrafshin kombëtar, kulturor e njerëzor.

Njëkohësisht gjatë vitit ’90-të, si famullitar i Kishës së “Shën Gjon Pagëzuesit” në Zllakuqan u vu në mbështetje të kauzës kombëtare si dhe në koordinim me prof. Anton Çettën (e bashkveprimtarëve të tij të faljeve të gjaqeve) për dy herë radhazi organizoi pajtimet e gjaqeve në trevën e Lugut të Drinit-Klinës.

Imzot Mark Sopi, para senatorëve amerikanë kishte mbajtur edhe një fjalim madhështor në Kongresin Amerikan më 18 maj 2005, ku me një këmbëngulje faktike e argumentuese mbrojti qëndrimet e popullatës së Kosovës, ku veç tjerash kishte thënë se: “Pavarësia e Kosovës është zgjidhja që prodhon vetëm paqe e siguri, jo vetëm për Kosovën, por për rajonin dhe mbarë Evropën e botën dhe se Amerika është ajo e cila mund ta zgjidh dhe përfundoj çështjen e Kosovës” që do të thotë se fjalimi i ipeshkëvit të Ipeshkëvisë së Kosovës, mons. Mark Sopit, pati një jehonë dhe ndikim të madh tek Presidenti George W. Bush. 

Vlen të potencohet se gjashtë vite pas çlirimit të Kosovës, me 26 gusht 2005, në nismën e tij është vendosur gurthemeli i Katedralës “Shën Nënë Tereza” në Prishtinë, gurthemel i vendosur në kuadër të 95 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës.

Imzot Mark Sopi, vërtetë ishte mishërim i një apostulli të rrallë qe kishte një vizion të qartë për Kishën dhe ishte tejet konciz rreth kauzës së Kosovës, pra i palëkundur në projeksionet e tij për Kosovën shtet të pavarur dhe sovran, ndaj edhe me një papërtesë e këmbëngulësi gjithherë lobonte pranë qarqeve ndërkombëtare e ambasadave të ndryshme në vend dhe rajon për ta senzibilizuar çështjen e Kosovës për një të Drejtë, Liri e Pavarësi të popullit Kosovar.

Siç thuhet nga disa burime faktike (pikërisht nga gazeta “Koreni Srbija”) se pak ditë para se të kalonte në amshim gjatë një meshe shenjtë me 26 dhjetor 2005, në kuadër të Krishtlindjes veç tjerash (ku morën pjesë edhe shumë Shqiptarë, besimtarë të dyja komuniteteve) gjatë pretkut të tij tha se: “Lindja e Krishtit mund të krahasohet me lindjen e një realiteti të ri-Pavarsisë së Kosovës”, për të cilën fjalë qarqet e Beogradit dhe Patriarku i Kishës ortodokse serbe, z. Pavle, në shënjë pakënaqësije apo për si të ashtuquajtur blasfemi i kishin dërguar një notë proteste Nuncit Apostolik dhe Selisë së Shenjtë për fjalët e pretkut të imzot Mark Sopit, mirpo Nunci Apostolik, arqipeshkëvi Eugenio Sbarbaro i kishte kthyer përgjigjje qarqeve të Beogradit dhe Kishës ortodokse sllave në Serbi se fjala e Pretkut të imzot Mark Sopit, para besimtarëve e mbajtur në meshën e Krishtlindjës është një e drejtë, mendim personal i ipeshkëvit Sopi.

Andaj edhe sot në kuadër të pesëmbëdhjetë vjetorit të kalimit në amshim të ipeshkëvit të ipeshkëvisë së Kosovës, imzot Mark Sopit, fare nuk mund të e përmbyll pa ua tërhequr vëmendjen strukturave institucionale të Republikës së Kosovës, se figurat e tilla të sojit të trinomit “Fe, Atdhe dhe Kulturë”, duhet të kujtohen dhe përjetësohen me ngritje të busteve nëpër sheshe e bulevarde apo së paku me dhënie apo akordim të titullit më të lartë shtetëror, Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.