Në QKUK veç për dy muaj janë kryer 230 operacione në sy

Në Klinikën e Oftalmologjisë në QKUK, vetëm në dy muajt e parë të këtij viti janë kryer 230 operacione, ka konfirmuar në një intervistë  për Ekonomia Online, drejtori i kësaj klinike Ardian Shabani.

Ndërsa gjatë vitit 2020 janë kryer gjithsejtë 1 590 operacione, ku sipas Shabanit si pasojë e pandemisë është dashur të kufizojnë numrin e operacioneve dhe të shkojnë vetëm me raste urgjente.

“Sa i përket vitit 2020, periudha prej muajit  janar  e deri në muajin dhjetor në klinikën e syve janë kryer gjithsejtë 1 590 operacione dhe 1 500 aplikime intravitreale. Kjo është periudhë prej muajit janar deri në dhjetor të vitit 2020, kjo shifër është dashur të jetë më e madhe nëse do kishim gjendjen normale, mirëpo për shkak të pandemisë  i kemi ndërprerë operacionet elektive dhe kemi vazhduar vetëm me operacionet urgjente të syve. Duke ju përmbajtur rregullave të institutit kemi vazhduar vetëm me operacione urgjente”.

“Mirëpo prej muajit janar  të këtij viti kemi filluar me operacionet elektive, gjithsejt prej fillimit të janarit e deri tash kemi kryer diku 230 operacione dhe rreth 420 aplikime intravitreale”, theksoi ai.

Sa i përket shërbimeve që i kanë ofruar deri më tani, Shabani tha që klinika e syve momentalisht i posedon katër ambulanta subspecialistike.

“Klinika e syve momentalisht i posedon tri ambulanta specialistike për të rritur, një për fëmijë dhe posedon katër ambulanta subspecialistike për shërbime të ndryshme. Gjithmonë në periudhë pandemie kemi punuar edhe me staf të kufizuar edhe me pacientët me numër më të vogël, dhe vetëm për raste urgjente”.

Mes tjerash drejtori i kësaj klinike tha që si risi në këtë klinikë është edhe ofrimi i shërbimeve që kanë kërkuar jashtë vendit e që po u ofrohen tashmë pacientëve brenda vendit.

Përmes kësaj ai theksoi që është zvogëluar në më shumë se 50% numri i kërkesave për trajtim jashtë vendit.

“Viti 2020 ka qenë një vit shumë i mirë për klinikën e syve, përveç që periudha  e pandemisë na ka kufizuar në shumë aspekte”.

“Kemi filluar me katër shërbime të reja në klinikën e syve, e deri më tani para vitit 2020 gjithë këta pacientë kanë kërkuar trajtim jashtë vendit, mirëpo si rezultat i blerjes së paisjeve dhe edukimit të vazhdueshëm të stafit tonë kemi arritur ti vendosim në shërbim të pacientëve tonë”.

“Me nisjen e shërbimeve të reja nga më të ndryshmet, është zvogëluar me më shumë se 50% numrin e referimeve dhe kërkesave jashtë institucioneve publike”.