Një aktivitet në shenjë pakënaqësie do të zhvillohet sot nga gastronomët, bizneset dhe zejet e Kosovës.
Në ora 12:00 të gjitha këto lokale do të mbyllen për një orë dhe simbolikisht çelësat do t’ia dorëzojnë Qeverisë, transmeton Indeksonline.
E gjithë kjo vie pas situatës së krijuar në vend si pasojë e pandemisë COVID-19 dhe humbjeve të mëdha që secili biznes po pëson tash e sa muaj.
Përfaqësuesi i gastronomeve të vendit, Labinot Ademi ka thënë se protesta mbahet si pasojë e masave të ndërmarra për shkak të COVID-19 dhe mos dhënies së ndihmave ekonomike.
“Po punojmë me rreth 40 për qind të kapacitetit. Punëtorët po i paguajmë njëjtë, edhe pse po punojmë deri në orën 21:00, qarkullimi ka rënë. Të paktën mos t’i ndalojnë subvencionet e punëtorëve prej 170 eurosh”, është shprehur ai më herët.
Ndryshe, Qeveria e Kosovës ka bërë të ditur se ditët në vijim do të rishqyrtojë masat kundër përhapjes së koronavirusit. Sipas Asociacionit të Komunave të Kosovës, ndër masat që do të rivlerësohen, do të jetë edhe gastronomia./