Nga java e ardhshme në Maqedoninë e Veriut pritet që të hiqet testi PCR në kufi, kështu ka bërë të ditur Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe.
Filipçe tha se në vend të testeve PCR është vendosur të bëhen teste të shpejta “ ultra test”.
Këto teste pritet të kryhen në pikat kufitare por edhe në laboratorët e vendit, të cilat do të japin rezultate brenda 15 minutave.
Në një konferencë me gazetarët, Filipçe konfirmoi se janë duke pritur një vendim nga autoritetet në Serbi, në mënyrë që përnjëherë të lehtësohen barrierat preventive të vendosura shkaku i pandemisë COVID-19.
Ministrat dhe zv/ministrat shumë herë premtuan se kufijtë mes Kosovës dhe Maqedonisë do të hapen pa asnjë kusht, por tani, Ministri Filipçe flet për zëvendësimin e testit PCR me teste të shpejta.
“Gjatë ditës së djeshme Ministrja e Shëndetësisë së Shqipërisë, Malit të Zi dhe Kosovës dhanë pëlqimin se mundet të hapen kufijtë në rajonin tonë. Jemi në pritje të Ministrisë së Shëndetësisë në Serbi dhe Bullgari, pas së cilës do të marrim vendim. Besoj në takimin e radhës të Komisionit për Sëmundje Infektive dhe të Shtabit. Takimi i radhës së Shtabit të Qeverisë është caktuar për të hënën”, sipas Filipçe.